Peter Pellegrini i fiton zgjedhjet presidenciale në Sllovaki!

vovalbania April 07, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Peter Pellegrini i fiton zgjedhjet presidenciale në Sllovaki!

Peter Pellegrini, aleat i ngushtë i kryeministrit populist Robert Fico është fitues i zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki. Me 53% të votave, Pellegrini mposhti rivalin properëndimor, ish-kryediplomatin Ivan Korcok, i cili siguroi vetëm 47% të mbështetjes në balotazhin e djeshëm. Tani do të pasojë Zuzana Captovanin, në krye të shtetit. Pellegrini mbajti një fjalim pas triumfit në zgjedhje:

Mund t’ju premtoj se do të jem president i të gjithë qytetarëve sllovakë. Zotohem se do të jem gjithmonë në anën e Sllovakisë.

Pellegrini po bëhet presidenti i gjashtë i Sllovakisë prej kohës kur vendi fitoi pavarësinë pas ndarjes së Çekosllovakisë në vitin 1993.

Caputova, një mbështetëse e madhe e shtetit fqinj Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus, nuk garoi për mandatin e dytë si presidente. Triumfi i Pellegrinit nënkupton se tani kryeministri Fico me aleatë kanë në dorë Parlamentin, Qeverinë dhe Presidencën e Sllovakisë.

Presidenti i vendit me 5.4 milion banorë zgjedh kryeministrin pas zgjedhjeve parlamentare dhe emëron gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti mund të përdorë edhe veton kundër ligjeve edhe pse Parlamenti mund ta shfuqizojë veton me një shumicë të thjeshtë. Por, mund t’i sfidojë në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, kreu i shtetit ka të drejtë edhe t’i falë të dënuarit me burg.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri ka shumicën e pushtetit ekzekutiv. Partia Smer e Ficos fitoi zgjedhjet parlamentare shtatorin e kaluar, falë një platforme pro-ruse dhe anti-amerikane.

Partia e Pellegrinit Hlas zuri vendin e tretë dhe iu bashkua koalicionit qeverisës me Ficon e forcën ultranacionaliste, Partia Nacionale e Sllovakisë.

Kritikët ngrejnë shqetësimin se nën pushtetin e Ficos, Sllovakia do të braktisë rrugën properëndimore e do të ndjekë drejtimin e Hungarisë, vend që drejtohet nga kryeministri populist Viktor Orban.

Qeveria e re menjëherë ndali furnizimin me armë për Ukrainën. Mijëra njerëz kanë protestuar vazhdimisht në rrugët e Sllovakisë kundër politikave proruse të Ficos, përfshirë planet për të ndryshuar Kodin Penal e për t’i marrë nën kontroll mediat publike.

Korcok ishte kritik i vendimeve të qeverisë. Protestuesit druajnë se ato mund të minojnë sundimin e ligjit, ndërsa Pellegrini e mbështeti Qeverinë e re dhe nuk i vuri në dyshim politikat e saj. Korcok ka qenë ambasador sllovak në Shtetet e Bashkuara e në Gjermani. Ai shërbeu edhe si i dërguar i vendit në NATO e në Bashkim Europian.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65704 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE