“Spastrimi etnik”, Armenia dhe Azerbajxhani përballen në GJND!
Azerbajxhani dhe Armenia përballen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), lidhur me akuzat për “spastrim etnik”, teksa tensionet ushtarake po rriten mes dy armiqve historikë. Për dy javë, avokatët e tyre do të angazhohen në interpretime të ligjit ndërkombëtar në GJND. Më herët gjatë këtij muaji, të dy shtetet kanë shkëmbyer akuza për hapje të zjarrit në kufi duke zbehur shpresat për një paqe të qëndrueshme pas dekadash luftimesh sporadike.
Beteja ligjore në GJND daton që nga shtatori i vitit 2021, kur të dyja palët paditën njëra-tjetrën. Armenia dhe Azerbajxhani akuzojnë njëri-tjetrin për “spastrim etnik” dhe shkelje të Konventës Ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor.
GJND-ja, që vendos për mosmarrëveshjet mes shteteve, lëshoi urdhra urgjent në dhjetor të vitit 2021, duke iu bërë thirrje palëve që të parandalojnë promovimin dhe nxitjen e urrejtjes racore. Teksa urdhrat e GJND-së janë detyrues, gjykata nuk ka mekanizëm që t’i zbatojë ato dhe tensionet mes palëve u rritën duke kulmuar me ofensivën e Azerbajxhanit në shtatorin e vitit të kaluar në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.
Bakuja mori kontrollin e Karabakut pas ofensivës, duke bërë që popullsia etnike armene e rajonit, më shumë se 100 mijë persona, të largohej për në Armeni. Disa javë më pas, Armenia iu drejtua GJND-së duke i bërë thirrje që të urdhërojë Azerbajxhanin që të tërheqë trupat nga Karabaku dhe të lejojë refugjatët armenë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Në nëntor, GJND-ja urdhëroi Azerbajxhanin që të lejojë këdo që dëshiron të kthehet në Karabak.
Të mund ta bëjë këtë në një mënyrë të sigurt e të papenguar.
Seancat dëgjimore për këtë mosmarrëveshje nisin sot dhe do të zgjasin deri më 26 prill. Në këto seanca do të trajtohen mospajtimet e ngritura nga të dyja palët në rastet fillestare të shtatorit të vitit 2021.
Dy ish-republikat sovjetike kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e Karabakut, e fundit më 2020-ën dhe e para në vitet ’90. Konfliktet kanë lënë të vrarë mijëra persona në të dyja palët dhe kanë detyruar qindra mijëra të tjerë që të zhvendosen.
Po ashtu, konflikti ka prishur raportet mes Rusisë dhe Armenisë, pasi Jerevani tha se Moska nuk ka bërë mjaftueshëm që ta ndihmojë kur Azerbajxhani zhvilloi ofensivën në shtator. Në shkurt, zyrtarisht, Armenia iu bashkua GJND-së, pavarësisht paralajmërimeve nga Moska që të mos e bëjë një gjë të tillë.
Jerevani tani është i detyruar ta arrestojë presidentin rus, Vladimir Putin, nëse shkel në territorin armen, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, në mars të vitit të kaluar.