OKB-ja diskuton rezolutën për shpalljen e Ditës Ndërkombëtare për Kujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë!

vovalbania April 17, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
OKB-ja diskuton rezolutën për shpalljen e Ditës Ndërkombëtare për Kujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë!

Konsultimet joformale në lidhje me draft-rezolutën që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë do të mbahen ditën e sotme në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Kjo u theksua në web-faqen zyrtare të kësaj organizate.

Takimi është thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë e të Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë, si dhe misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kabineti i kryesuesit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviç dhe anëtari i Presidencës, Zhelko Komshiç, reaguan para mbajtjes së konsultimeve joformale në Nju Jork. Nga burime zyrtare u njoftua se të dy do të qëndrojnë në selinë e Kombeve të Bashkuara të mërkurën, më (17 prill) për shkak të rezolutës së propozuar për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, ata shtuan se rezoluta e propozuar do të përfshihet në axhendë në fillim të muajit maj. Në draft-rezolutën, në të cilën ka pasur akses Radio Evropa e Lirë, kërkohet që të dënohet çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë, si dhe inkurajohen anëtarët e OKB-së që të ruajnë faktet e vërtetuara e të zhvillojnë programet e duhura përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të parandalojnë revizionizmin dhe gjenocidin në të ardhmen.

Draft-rezoluta vë në pah rëndësinë e përfundimit të procesit të kërkimit e të identifikimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe mundësinë që ata të varrosen në mënyrë dinjitoze. Po ashtu, rezoluta e propozuar bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes ligjore të autorëve të gjenocidit.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid. Në atë që njihet si masakra më e rëndë në Europë, pas Luftës së Dytë Botërore, u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë në vitin 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid e krime të tjera të kryera në Srebrenicë të Bosnjës. Vitin e ardhshëm mbushen plot 30 vjet nga masakra tronditëse atje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE