Kurti: Lirohen katër nga pesë policët e Kosovës të ndaluar në Serbi!
Kryeministri Albin Kurti, tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç nga komuniteti serb.
Sot gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se zyrtarët policorë u ndaluan në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë e Kroacisë.
Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi.
Një ditë më parë, autoritetet në Kosovë bënë të ditur se dhjetë zyrtarë policorë të Kosovës, mes tyre shqiptarë dhe serbë u ndaluan nga autoritetet serbe. Pesë u liruan po dje.
Kurti bëri të ditur se pesë policët e mbajtur u dërguan në Rashkë. Po ashtu, tha se “Serbia ndaloi dhe “keqtrajtoi” për më shumë se 20 orë, qindra qytetarë të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi me autobusë”.
Sipas Kurtit, këto veprime të autoriteteve serbe u bënë në shenjë hakmarrjeje, pasi më 16 prill Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Veprimi hakmarrës i Serbisë është menduar edhe si akt me qëllim të përshkallëzimit të tensioneve. Kjo sepse Serbisë nuk i konvenon normaliteti, paqja dhe qetësia në rajon, e sidomos në Kosovë.
Më herët, presidentja Vjosa Osmani tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi “shovinist”. Osmani i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë për këtë çështje.
Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë ed herët, he në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia. Kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona ndaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të jetë anëtare fuqiplotë e INTERPOL-it dhe e EUROPOL-it.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, përsëriti se ende nuk ka ndonjë arsyetim nga Serbia se pse pesë zyrtarët policorë po mbahen në Rashkë.
Ky është një sulm i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të vet komunitetit serb brenda Policisë së Kosovës, të cilët gjejnë vullnetin dhe guximin të bashkohen në rrugën e përbashkët që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet për vendin tonë.