ByteDance: TikTok-u nuk do të shitet!

vovalbania April 26, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
ByteDance: TikTok-u nuk do të shitet!

Kompania kineze ByteDance, e cila ka në pronësi TikTok-un ka vënë në dukje se nuk ka ndër mend ta shesë aplikacionin e famshëm. Qëndrimi i fundit shpërfill veprimet e Senatit Amerikan që miratoi një ligj sipas të cilit TikTok-u duhet të shitet ose do të ndalohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

ByteDance nuk ka plane për ta shitur TikTok-un, theksoi kjo kompani në llogarinë e vet zyrtare në Toutiao, një rrjet social të cilin po ashtu e ka në pronësi. Në fillim të kësaj jave, TikTok-u tha se do të ankohet në gjykatë kundër ligjit të cilin e quajti “jokushtetues”.

Njoftimi nga ByteDance vjen si një përgjigje e një artikulli në media se kompania po e shqyrton shitjen e mundshme të TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara.

Raportimet në mediat e huaja për shitjen e TikTok-ut nga ByteDance janë të pavërteta, tha kjo kompani.

Dy ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden firmosi ligjin i cili do ta ndalojë TikTok-un në Shtetet e Bashkuara, nëse pronarja e saj, firma ByteDance nuk e shet atë brenda një viti.

Ligjvënësit nga të dyja partitë në SHBA, Demokrate e Republikane, si dhe zyrtarë të zbatimit të ligjit e përfaqësues të Inteligjencës  kanë shprehur shqetësime se autoritetet kineze mund ta detyrojnë ByteDance-in t’i dorëzojë të dhënat e më shumë se 170 milion amerikanëve që e përdorin TikTok-un.

Shqetësimet e tyre burojnë nga një sërë ligjesh kineze të sigurisë kombëtare, të cilat i detyrojnë organizatat ta ndihmojnë vendin e madh aziatik në grumbullimin e të dhënave. ByteDance mund t’i nënshtrohet këtij ligji kinez. Kjo nuk përjashtohet edhe pse TikTok-u i ka hedhur poshtë pretendimet se mund të përdoret si mjet i qeverisë kineze.

Kjo kompani ka thënë se kurrë nuk i ka ndarë me autoritetet kineze të dhënat e përdoruesve amerikanë e ka theksuar se nuk do ta bëjë këtë edhe nëse i kërkohet zyrtarisht nga Pekini.

Beteja 4-vjeçare për TikTok-un, i cili përdoret nga 170 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara, është vetëm një prej shumë fronteve në luftën e internetit e teknologjisë mes Uashingtonit dhe Pekinit. Javën e kaluar, Apple tha se Pekini e urdhëroi t’i largonte platformat e Meta-s, WhatsApp dhe Threads nga dyqani i aplikacioneve në Kinë, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare.

TikTok-u do ta sfidojë këtë projektligj përmes Amendamentit të Parë dhe përdoruesit e TikTok-ut pritet të ndërmarrin veprime ligjore gjithashtu. Një gjykatës në Montana e parandaloi ndalimin e TikTok-ut në këtë shtet, duke u bazuar në lirinë e shprehjes.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE