Emigracioni i të rinjve shqiptarë në Britani, “The Telegraph” jehonë deklaratave të Ramës!
Kryeministri Edi Rama iu bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të ndalojnë kalimin e Kanalit Anglez me varka të vogla, ndërsa rreth 2000 vetë janë grumbulluar në veri të Francës gati për udhëtimin e rrezikshëm. Një artikull i “The Telegraph”, citon apelin e Ramës drejtuar të rinjve, që paratë t’i investojnë në bizneset e turizmit rural duke fituar më shumë nga sa mund të fitonin në Britaninë e Madhe.
Qeveria shqiptare do të sigurojë mbështetje financiare për të mbështetur plane të tilla mes shqetësimeve se numri i të rinjve shqiptarë që kërkojnë të kalojnë Kanalin po rritet.
Artikulli i gazetës britanike thekson:
Zyrtarët e Forcave Kufitare thonë se tani shqiptarët përbëjnë deri në 60% të mbërritjeve, 100 herë më shumë se numri i vitit të kaluar nga vendi ballkanik. Thuhet edhe se rreth 2 mijë shqiptarë të tjerë kanë arritur në Francën veriore e tani po jetojnë në kampe të improvizuara ose po grumbullohen në B&B në Dunkirk e Calais, përpara kalimit të tyre.
Javën e kaluar, Kuvendi i Shqipërisë mbështeti njëzëri një “memorandum” të ri me Mbretërinë e Bashkuar për të lejuar policët e dërguar në Britani, të ndajnë informacione kriminale dhe biometrike mbi emigrantët, në përpjekje për të përshpejtuar dëbimin e tyre në Ballkan. Edi Rama ka premtuar mbështetje financiare për turizmin rural në vendin e tij mes shqetësimeve se numri i të rinjve shqiptarë që kërkojnë të kalojnë Kanalin po rritet.
“The Telegraph” e citon kur i pyetur në fundjavë nga gazetarët, deklaroi:
Së pari, do të doja t’u bëja thirrje të gjithëve që të mos ecin në atë rrugë sepse do të jetë gjithnjë e më e vështirë, do të bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë dhe shumica do të dështojnë. Shqipëria nuk mund t’u ofronte shqiptarëve të njëjtat “kushte” si Britania e Madhe apo Gjermania. Ne nuk jemi magjistarë.
Siç thekson “The Telegraph”, “Rama këmbënguli se Shqipëria ka “shumë mundësi” për ata që “me të vërtetë duan të arrijnë suksesin e tyre përmes punës”. Kryeministri sugjeroi se 20,000 ose 30,000 £ që njerëzit po paguanin trafikantët për të shkuar në MB, me mbështetjen e qeverisë, mund t’u mundësonin atyre të ndërtonin biznese “agroturizmi” bazuar në pronat e vogla të prindërve ose gjyshërve”.
Mund të fitoni shumë më tepër para’ nga sa mundeni nga një punë e zakonshme në MB, nëse nuk përfshiheni me rrjete kriminale që mund t’ju joshin me histori me më shumë të ardhura, por që përfundimisht të çojnë në ferr.
Bandat kriminale dhe tregtia e kokainës
“The Telegraph” shkruan edhe se “agjencitë e zbatimit të ligjit janë të shqetësuara për fluksin e shqiptarëve, bandat kriminale të të cilëve dominojnë tregtinë e drogës së kokainës në jug të Anglisë dhe janë zgjeruar në kultivimin e kanabisit duke përshtatur teknikat e zhvilluara në Shqipëri për rritjen e bimëve”.
Vlerësohet se deri në fund të këtij muaji, në Britaninë e Madhe mund të shkojnë rreth 9 mijë shqiptarë, 29 mijë e 716 prej fillimit të vitit, krahasuar me 28 mijë e 526 për të gjithë 2021-shin e 8 mijë e 400 më 2020-ën.
TikTok-u, i përdorur nga trafikantët e njerëzve për të reklamuar shërbimet, sugjeron se po ndryshojnë taktikat, duke bërë më shumë nisje para agimit për të shmangur zbulimin nga autoritetet franceze dhe duke vënë të rinj në krye të varkave si kapitenë për shmangur dënimet për ata që i drejtojnë.