Tritol ndaj gjyqtarit në Shkodër, delegacioni i BE dënon ashpër sulmin: Siguria nga kërcënimet, thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit!

vovalbania April 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tritol ndaj gjyqtarit në Shkodër, delegacioni i BE dënon ashpër sulmin: Siguria nga kërcënimet, thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit!

Delegacioni i BE në Shqipëri ka reaguar për sulmin që iu bë gjyqtarit Tonin Sterkajn, të cilit iu vendos lëndë plasëse në banesën e tij në Shkodër një ditë më parë.

BE dënon ashpër sulmin, ndërsa thekson se kërcënimi ndaj zyrtarëve të drejtësisë është një pengesë e madhe në pavarësinë e gjyqësorit, dhe se është thelbësore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

“Ne dënojmë ashpër sulmin e bërë së fundmi ndaj një gjyqtari në Shqipëri. Siguria e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga kërcënimet është thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan delegacioni i BE.

Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit gjyqësor në Shqipëri, theksojnë ata.

Ndërkohë Komisioni i posaçëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosi mbrojtje të veçantë për gjyqtarin Tonin Sterkajn.

Më herët, Ministri i Brendshëm Taulant Balla e quajti akt burracakësh me qëllim intimidimin e magjistratit dhe e vlerësoi test për policinë e Shkodres zbulimin e autorit dhe porositësit.

“Dënoj këtë akt prej burracakësh në përpjekje për të intimiduar një magjistrat. Sa i përket pjesës tjetër dhe nuk dua të flas më shumë për këtë, sepse ju thashë kjo ngjarje është një test për DVP Shkodër, në të gjitha kuptimet, por që lidhet drejtë për së drejti me kredibilitetin dhe me besimin në rritje të Policisë së Shtetit” tha ministri Balla pasi doli nga mbledhja e KLGJ-së.

Për Ballën, ky sulm i paprecedent tregon se reforma në drejtësi po jep rezultate.

“Duhet të kuptojmë që reforma në drejtësi po jep rezultate e veta dhe duhet të kuptojmë që gjyqtarë dhe prokuror në detyrën e tyre  kanë prishur qetësinë e personave të cilët janë objekt i hetimeve apo i vendimeve dhe kur bëra thirrje për të hequr dorë nga intimidimet ndaj magjistratëve këtë thirrje e kisha ndaj gjithkujt. Intimidimet mund të bëhen me lëndë eksplozive, por mund të bëhen edhe me fjalë edhe me deklarata” nënvizoi ai.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65824 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE