Dërgohet në OKB propozimi final mbi rezolutën për Srebrenicën!

vovalbania May 02, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Dërgohet në OKB propozimi final mbi rezolutën për Srebrenicën!

Propozimi final lidhur me rezolutën për Srebrenicën i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombe të Bashkuara, Dennis Francis, si dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB. Njoftimi u bë nga ambasadori i Bosnjë-Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija.

Pas disa raundesh konsultimesh gjithëpërfshirëse, propozimi final mbi rezolutën për “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995”-ën, i hartuar nga një grup shtetesh, iu dërgua presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB.

Ditët e fundit u mbajtën konsultime joformale në selinë e OKB-së në Nju Jork për draft-rezolutën që synon të shpallë 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Siç ishte njoftuar paraprakisht në faqen e OKB-së, në konsultimet për draft-rezolutën morën pjesë misionet e përhershme të Gjermanisë e Ruandës, së bashku me të Shqipërisë, Bosnjës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë e Shteteve të Bashkuara.

Ndërkaq, më 30 prill, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë për Bosnjë-Hercegovinën me kërkesë të Rusisë. Seanca u zhvillua për të diskutuar situatën e sigurisë dhe rreziqet e cënimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Rusia kërkoi mbajtjen e seancës pas letrës që Zhellka Cijanoviç, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës i dërgoi Këshillit të Sigurimit.

Seanca erdhi në kohën kur Serbia e politikanë nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, si dhe aleatja e tyre, Rusia, po lobojnë kundër miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në OKB. Votimi i kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme pritet gjatë majit.

Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të miratonte një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë nëntë vjet më parë, Rusia vendosi veto e miratimi dështoi. Kësaj radhe, rezoluta do të hidhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme, ku nuk ka mundësi vetoje.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi dhe autoritetet në Republikën Sërpska mohojnë se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë është kryer gjenocid. Më 2007-ën, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi “gjenocid” krimin e kryer në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem u vranë nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocidin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65822 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE