Vrasja e dyfishtë në Dropull, identifikohet autori i ngjarjes! (EMRI)
Tre ditë pas vrasjes së çiftit të moshuar në Dropull, policia ka zbardhur ngjarjen dhe ka vënë në pranga autorin Thoma Mastora, 69 vjeç. Burime për mediat bëjnë me dije se 69-vjeçari ka qenë në banesën e çiftit duke pirë kafe dhe më pas i ka vrarë duke i qëlluar me sende të forta.
Sipas uniformave blu, shkak për vrasjen është bërë një konflikt i çastit që ka përshkallëzuar deri në përdorimin e sendeve të forta. Pasi i vrau më 2 maj, Thoma Mastora u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë çiftin Kosta e Kleoniqi Ilia, 80 e 84 vjeç, të vdekur në banesë.
Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa në një deklaratë për mediat zbuloi detaje nga ngjarja e rëndë, ndërsa përjashtoi pistën e vjedhjes në banesë. Ai theksoi se dy viktimave iu konstatuan shenja dhune me sende të forta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
“Nga këqyrja sipërfaqësore e trupit të shtetasit Kosta dhe Kleoniqi Ilia u konstatuan shenja dhune në pjesë të ndryshme të kokës dhe trupit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ambienteve të banesës dhe gjithë oborrit nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat”, tha Çipa në një deklaratë për mediat.
Arsyet se çfarë çuan në konfliktin e çastit ende nuk dihen. Ndonëse policia e përjashton zyrtarisht pistën e vjedhjes, çiftit të të moshuarve iu është gjetur në banesë 5 milionë lekë të reja, ndërsa autori rezulton i dënuar më parë për vjedhje.
Sidomos pak ditë para se të ndodhte vrasja, Thoma Mastora kishte pirë disa herë kafe në banesën e çiftit Ilia. Report Tv solli foton e tij, ndërsa burime thonë se ai njihet në zonë si njeri problematik, ku është bërë disa herë pjesë e konflikteve në fshatin Bodrishtë.
Ndaj tij rëndon akuza penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi në momentin e arrestimit i është gjetur një sasi municioni luftarak, si edhe mjeti më t cilin ka vrarë të moshuarit që është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencor.
Për zbardhjen e ngjarjes, policia ka shoqëruar dhe pyetur 35 persona, ndërsa alarmi që ngriti motra e Kloeniqi Ilia zbuloi ngjarjen e rëndë. Ajo nuk kishte mundur të lidhej në telefon me të motrën dhe kishte njoftuar fqinjën, ndërsa kjo e fundit e gjeti çiftin të vdekur në banesë.