Xi Jinping në Beograd/Në fokus shtrirja e ndikimit kinez në Europë!

vovalbania May 08, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Xi Jinping në Beograd/Në fokus shtrirja e ndikimit kinez në Europë!

Presidenti i Kinës, Xi Jinping po qëndron në Beograd. Në kryeqytetin serb, mbërriti mbrëmjen e djeshme në kuadër të një vizitë dyditore në Serbi, në përpjekje për të rritur ndikimin e Pekinit zyrtar në çështjet politike dhe ekonomike të Europës.

Xi udhëtoi nga Franca, aty ku paraprakisht takoi presidentin Emmanuel Macron, i cili i kërkoi me këmbëngulje që t’i lehtësojë kufizimet e Kinës për tregtinë e ta përdorë ndikimin e tij ndaj Rusisë për ndalimin e luftës së Kremlinit në Ukrainë.

Ka shumë mundësi që në Beograd, lideri kinez të përballet me më pak presion nga homologu serb, Aleksander Vuçiç, i cili vazhdimisht ka kërkuar të ruajë marrëdhëniet e mira me Kinën dhe Rusinë, pavarësisht se shprehet se synon ta anëtarësojë vendin në Bashkimin Europian.

Në aeroport, Xi u prit nga Vuçiç, kryeministri Millosh Vuçeviç, kryetarja e Parlamentit, Ana Bërnabiç, ministri i Jashtëm, Marko Gjuriç, ish-presidenti Tomisllav Nikoliç, si dhe ambasadorja serbe në Kinë, Maja Stefanoviç.

Pas qëndrimit në Serbi, Xi do të udhëtojë për në Budapest, ku e pret kryeministri hungarez, Viktor Orban. Siç dihet, edhe Orban ka mbajtur marrëdhënie të mira me Rusinë e Kinën, edhe pse Hungaria është anëtare e Bashkimit Europian.

Në vizitën e tij të dytë në Serbi në tetë vitet e fundit, me siguri që Xi do të bisedojë për një sërë temash me Vuçiçin, nga politika e jashtme te ekonomia, teknologjia dhe kultura. Politikat nacionaliste e miqësore ndaj Rusisë të Vuçiçit e kanë alarmuar Perëndimin.

Në Pekin, vizita në Serbi u përshkrua si forcim shtesë i “miqësisë së çeliktë” mes dy vendeve, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e quajti Xi-në “mik të madh” të Serbisë.

Mediat serbe raportuan për masa të forta të sigurisë gjatë vizitës. Rreth 3.400 pjesëtarë të sigurisë janë angazhuar për t’u kujdesur për sigurinë e delegacionit të presidentit kinez e që përbëhet nga 400 anëtarë.

Para vizitës së presidentit kinez, Beogradi u stolis me flamuj të Serbisë e të Kinës, si dhe me mesazhe mirëseardhëse në gjuhët serbe e kineze, përgjatë rrugës nga aeroporti drejt qendrës së qytetit. Avioni i Xi-së u shoqërua nga avionët luftarakë MiG-29 pasi hyri në hapësirën ajrore të Serbisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE