Moska: 7 të vrarë nga një sulm raketor në rajonin rus Belgorod!
Janë të paktën shtatë persona të vrarë dhe 15 të tjerë të plagosur nga shembja e një pjese të një ndërtese shumëkatëshe banimi, si pasojë e një sulmi raketor ukrainas në qytetin kufitar të Rusisë, Belgorod. Kjo u deklarua sot nga zyrtarë rusë. Pamje nga vendi i ngjarjes, të postuara në rrjetet sociale nga guvernatori i këtij rajoni në kufi me Ukrainën, Vyacheslav Gladkov, shfaqën shembjen e 10 kateve të një ndërtese.
Gladkov u shpreh:
Qyteti i Belgorodit, si dhe rajoni i Belgorodit u bombarduan nga Forcat e Armatosura të Ukrainës. Si pasojë e goditjes direkte nga një predhë në një ndërtesë banimi, e tërë hyrja nga kati i dhjetë deri te i pari, u shemb.
Kanali rus i lajmeve në Telegram, Mash, raportoi të paktën shtatë persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën. Një dëshmitar në terren u shpreh se shumë autoambulanca dhe automjete zjarrfikësish u panë në vendin e ngjarjes.
Një pjesë e tërë e një ndërtesë 10-kateshe u shemb. Unë pashë disa viktima.
Dëshmitari foli për agjencinë e lajmeve Reuters, por nuk pranoi që të identifikohej. Ndërkaq, më herët sot, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kundërajrorët e saj rrëzuan dy raketa balistike të epokës sovjetike e që forcat ukrainase i hodhën mbi rajonin Belgorod gjatë orëve të natës.
Qytetet në pjesën perëndimore të Rusisë janë përballur me sulme të vazhdueshme me dronë prej muajit maj të vitit të kaluar. Për këto sulme, zyrtarët rusë kanë fajësuar Kievin zyrtar. Por, zyrtarët ukrainas nuk marrin asnjëherë përgjegjësi për sulme në territorin rus apo në Gadishullin e Krimesë, të cilin 10 vjet më parë Rusia ia uzurpoi Ukrainës në mënyrë të paligjshme.
Në veçanti rajoni i Belgorodit ka qenë objektiv i sulmeve të mëdha. Në dhjetor të vitit 2023 u raportua se aty u vranë 25 njerëz nga një sulm në qendër të qytetit Belgorod.
Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria e Kremlinit ka sulmuar Ukrainën duke mos u kursyer përgjatë gjithë vijës së frontit. Këtë e raportoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në buletinin më të fundit të publikuar mëngjesin e sotëm duke shtuar se në total ka pasur 155 beteja në terren.
Ushtria ruse kreu 13 sulme me raketa dhe 118 sulme ajrore, krahas 120 raketave të hedhura ndaj pozicioneve të trupave ushtarake ukrainase e po ashtu zonave të populluara. Banesa e shtëpi private u prekën, si dhe infrastruktura.
Por, referuar burimeve të ushtrisë ukrainase, edhe forcat e Moskës po pësojnë humbje të rënda. Kievi njofton për një numër prej 1 mijë e 260 ushtarësh rusë që kanë humbur jetën në betejë, vetëm ditën e fundit.