Shqipëria me kostot më të larta në Europë të dietës ushqimore!

vovalbania May 13, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shqipëria me kostot më të larta në Europë të dietës ushqimore!

Një personi që jeton në Shqipëri i duhet të harxhojë 4.4 dollarë në ditë (sipas Indeksit të Fuqisë Blerëse) vetëm për ushqim për të plotësuar nevojat e një diete normale, siç përllogarit Organizata Botërore e Ushqimit (FAO).

Kjo kosto është e vlefshme për vitin 2021 dhe rezulton më e larta në Europë e në rajon. Madje, në renditjen globale me 163 vende, Shqipëria është e 28-ta për kostot e larta të dietës ushqimore ditore.

Indeksi i Kostos së Dietës Ushqimore u gjenerua nga databaza e FAO-s dhe në Shqipëri rezulton të jetë e lartë, për shkak se në vendin tonë, pagat janë ndër më të ulëtat në Europë dhe gati 30% më të ulëta se rajoni. Nga ana tjetër, çmimet janë të larta e madje për disa produkte, edhe më të larta se në vendet e BE-së.

Si vendin me koston më të lartë të jetesës, Indeksi i FAO-s llogarit  Xhamajkën me 7 USD për frymë për person, e ndjekur nga Grenada dhe Suriname me 6.1 USD secili.

Në anën tjetër, Britania e Madhe ka kostot më të ulëta të dietës ushqimore për person në ditë, sipas fuqisë blerëse me vetëm 2 USD në ditë, e ndjekur nga Irlanda me 2.2 USD. Përgjithësisht, kostot e larta të ditës ushqimore i kanë vende të varfra dhe ato në zhvillim.

Në rajon, pas Shqipërisë, kostot më të larta dietës ditore për ushqim i ka Serbia me 4.3 USD për person në ditë, e ndjekur nga Bosnja me 4.1 USD në ditë, Mali i Zi me 3.7 USD në ditë dhe Maqedonia e Veriut me 3.6 USD në ditë.

Në vitin 2022, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, zuri 39,7% në buxhetin familjar, me një rënie prej 1.6 pikë përqindjeje në krahasim me vitin e mëparshëm, më i larti në Europë. Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është 13%, ndërsa dhe në vendet e tjera të rajonit është më e ulët se në Shqipëri, sipas Eurostat-it.

Familjet shqiptare janë aq të varfra sa detyrohen që pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre t’i çojnë për t’u ushqyer. Sipas të dhënave të tjera të Eurostat-it, shpenzimet nominale për ushqime (të matura sipas Standardit të Fuqisë Blerëse), në Shqipëri ishin sa 31% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ose asaj që prodhon ekonomia në një vit, në vitin 2022. Kjo shifër është më e larta në Europë dhe shumë më tepër se mesatarja prej 6.3% e PBB-së së Bashkimit Europian.

Pas Shqipërisë, në vend të dytë është Mali i Zi, me 22.7% të PBB-së, e ndjekur nga Bosnja (20.7%), Maqedonia e Veriut (20.6) dhe më e ulëta është në Serbi, me 14.5% të PBB-së (të dhënat për Kosovën mungojnë).

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sa 83.7% e mesatares së Bashkimit Europian, e treta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë (89.7) dhe Malit të Zi (85.8%). Më të lirat në rajon janë çmimet në Maqedoninë e Veriut, me 68.2% e mesatares së BE-së.

Për bukë e drithëra, në Shqipëri shpenzohet 4.3% e PBB-së, nga 1.1% që është mesatarja europiane. I dyti pas nesh është Mali i Zi me 3.4% të PBB-së.

Për qumësht, djathë dhe vezë, shpenzimet janë sërish rekord në 5.1% të PBB-së, nga vetëm 1% që është mesatarja e BE-së. Familjet shqiptare i blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë se mesatarja europiane, ndër më të shtrenjtat në Europë, ndonëse jemi një vend ku bujqësia sjell rreth 20% të ekonomisë./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE