Separatistët humbin shumicën në Katalonjë!

vovalbania May 13, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Separatistët humbin shumicën në Katalonjë!

Socialistët e kryeministrit spanjoll, Pedro Sachez shënuan fitore në zgjedhjet rajonale katalane të mbajtura dje dhe ku Carles Puigdemont e të tjerë separatistë humbën shumicën pas dhjetë vjetësh në pushtet. Votimet u zhvilluan 6 vjet pasi Puigdemont udhëhoqi përpjekjen e dështuar për pavarësi, që nxiti një prej krizave më të këqija politike në Spanjë në dekada.

E drejtuar nga Salvador Illa, i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë në Spanjë gjatë pandemisë koronavirus, Partia e Socialistëve të Katalonjës fitoi 42 nga 135 vendet e Parlamentit rajonal apo 9 më shumë se në zgjedhjet paraprake të 2021-shit.

Duke e cilësuar rezultatin “historik”, Sanchez shkroi në X se ky rezultat zgjedhore do të shënojë nisjen “e një epoke të re në Katalonjë”.

Një epokë e re për të gjithë katalanët, pavarësisht se çfarë mendojnë ata.

Rezultatet e zgjedhjeve përbëjnë fitore të madhe për Sanchezin, i cili ka dashur të tregojë se ka funksionuar politika e tij për uljen e tensioneve që u nxitën për shkak të krizës e për të ulur ndjenjën pro pavarësisë në rajonin në verilindje të shtetit ku jetojnë 8 milion banorë.

Që kur u bë kryeministër në vitin 2018, disa muaj pas përpjekjes së dështuar të separatistëve, Sanchez ka tentuar të “shërojë plagët” e shkaktuara nga kriza politike. Më 2021-shin ai fali separatistët e dënuar për shkak të përpjekjeve për pavarësi e aktualisht është duke shtyrë përpara një projektligj që synon të amnistojë separatistët, në këmbim të mbështetjes së tyre edhe për një mandat në krye të ekzekutivit spanjoll.

Duke fituar më shumë se 200 mijë vota, socialistët arritën të parandalonin që partitë pro pavarësisë të merrnin shumicën e nevojshme për të pasur pushtet në rajon, të cilin e kanë udhëhequr në dekadën e fundit.

Rezultatet e fundit treguan se partia e linjës së ashpër e Puigdemontit, JxCat, partia e moderuar ERC që drejtohet nga lideri në largim katalan, Pere Aragones, si dhe partia më e vogël e krahut të majtë, CUP, fituan 59 vende. Në zgjedhjet e mëparshme, ata siguruan 74 të tilla në Parlamentin rajonal.

Edhe nëse llogariten dy vende të Aleancës ultranacionaliste Katalane, separatistët nuk arrijnë të kenë 68, aq sa kërkohet për të krijuar shumicën. Partia JxCat fitoi 35 vende më shumë se në zgjedhjet e kaluara,  ERC 20 nga 13 që kishte më parë ndërsa CUP 4, më pak se herën e kaluar kur kishte 9.

Puigdemont u largua nga Spanja për të shmangur ndjekjen penale, pas përpjekjes së dështuar për pavarësi. Ai ka zhvilluar fushatën zgjedhore nga jugu i Francës. Edhe pse do t’i lejohet të kthehet në Spanjë sapo projektligji për amnisti të shndërrohet në ligj, ai shpresonte se një fitore në zgjedhjet e së dielës do t’i hapte rrugën për një rikthim triumfues. Ndërkaq ka premtuar se do të largohet nga politika nëse nuk fiton zgjedhjet.

Pavarësisht fitores, Illa duhet të arrijë aleanca që të ketë shumicën prej 68 vendesh të nevojshme. Edhe në zgjedhjet e vitit 2021, socialistët fituan shumicën e votave, por separatistët arritën të krijonin një koalicion qeverisës.

Analistët thanë se opsioni më i mundshëm është që socialistët të krijojnë koalicion me radikalët e majtë të Comuns Sumar që kanë fituar 6 vende dhe me ERC-në, që ka 20. Së bashku, ata do të kishin fiks 68 vende, sa kërkohet që të krijohet shumica.

Partitë e djathta kanë shënuar rritje. Partia Popullore fitoi 15 vende, nga tre që kishte në zgjedhjet e kaluara ndërsa partia e ekstremit të djathtë, Vox 11, aq sa kishte në zgjedhjet e kaluara. Që të dyja këto parti kanë kundërshtuar lëvizjen pro pavarësisë e po ashtu edhe projektligjin për amnisti të Sanchezit, që do të shndërrohet në ligj brenda javësh e që do të lejojë rikthimin e Puigdemontit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64267 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE