Policia gjeorgjiane shpërndan me forcë protestuesit në Tbilisi!
Policia gjeorgjiane përdori forcë mëngjesin e sotëm për të shpërndarë mijëra protestues që zhvilluan protestë paqësore gjatë natës jashtë Parlamentit kundër projektligjit për “Agjentët e huaj”. Ligjvënësit pritet të debatojnë e të votojnë në një votim të tretë e final sot, draftin e debatueshëm për “Agjentët e huaj” e që është dënuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian e të tjera vende, pasi është i ngjashëm me variantin rus.
Pamje të siguruara nga Radio Evropa e Lirë treguan policë të maskuar duke rrahur një protestues, i cili ishte rrëzuar, para se ta arrestonin. Për javë të tëra, qindra mijëra persona kanë protestuar kundër projektligjit për “Agjentët e huaj” e që është prezantuar nga partia në pushtet, Endrra Gjeorgjiane.
Projektligji kërkon që organizatat mediatike dhe ato joqeveritare të regjistrohen te autoritetet si organizata që “ndjekin interesat e një fuqie të huaj”, nëse marrin më shumë se 20% të fondeve të tyre nga jashtë.
Endrra Gjeorgjiane ka votat e mjaftueshme që të përmbysë veton e premtuar nga presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili. Edhe vitin e kaluar, Gjeorgjia pati prezantuar një ligj të ngjashëm, por që u tërhoq nga Endrra Gjeorgjiane pas protestave masive.
Teksa prej javësh, Gjeorgjia është përfshirë nga protestat kundër atij që kritikët e quajnë “ligj rus”, qeveria gjeorgjiane këmbëngul se kjo masë, e ngjashme me atë që ka Rusia është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian e po ashtu synon që të rrisë “transparencën”, si dhe të parandalojë “ndikimin e dëmshëm nga jashtë”, në skenën politike të vendit.
Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, e hodhi poshtë këtë qëndrim ditë më parë duke vënë në dukje se si i tillë, ligji kërcënon të drejtat themelore. Ky ligj pritet të hidhet për votim për herë të tretë e të fundit, të hënën e këtij 13 maji.
Udhëheqësit e Bashkimit Europian thonë se zbatimi i tij, padyshim që do të ndikonte negativisht në aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarësim në Union. Masa u kritikua edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi që gjithashtu njihet si mbështetësi më i madh i kësaj ish-republike sovjetike në vitet e fundit.