Qëllimi i përbashkët i “katër muskutjerëve”, gara mes trajnerëve të gjeneratës së re!
Edlir Tetova, Orges Shehi, Thomas Brdaric apo Ivan Gvozdenovic, cili prej tyre do të arrijë të fitojë titullin kampion? Një garë interesante do të jetë dhe mes katër trajnerëve të skuadrave që marrin pjesë në “Final4”. Bëhet fjalë për katër trajnerë të një gjenerate të re, që nuk kanë shumë vite që kanë nisur rrugën e trajnimit, por kanë patur jo pak sukses në këto pak vite që kanë veshur tutat e trajnerit. Asnjëri prej tyre nuk i ka arritur të pesëdhjetat, dhe në vena ende mund ta ndjejnë adrenalinën e futbollistit.
Edlir Tetova, trajneri i Egnatias,, vetëm 41 vjeç, trajneri më i ri nga katër që janë në “Final4”. Në të shkuarën ka qenë asistent tek Skënderbeu, Kukësi e Tirana, ndërsa si trajner i parë ka drejtuar dhe Lushnjen e Ulpianën në Kosovë, por te Egnatia gjeti habitatin e tij, ku edicionin e shkuar fitoi Kupën e Shqipërisë.
Egnatia e tij kryesoi për gati gjithë kampionatin, por tashmë i ka mbetur sprinti final. Eksperienca nuk mund të thuhet se i mungon, pasi Egnatia tani ka mësuar si të luajë në fushë si skuadra pretendente ka lojtarë me kualitet dhe që kanë luajtur prej vitesh në Superiore.
Ivan Gvozdenovic, trajneri i Skënderbeut, gjithashtu mund të konsiderohet një trajner i ri, pasi ka vetëm 45-vite mbi supe. Ka patur eksperienca të ndryshme jashtë Shqiprisë si trajner i parë, ndonëse hapat e para i hodhi në Superiore si asistent te Tirana e Kukësi. Titullin e ka fituar 3 herë si futbollist, por si trajner do të ishte hera e parë për të. Nga të gjithë trajnerët e tjerë, pa dyshim serbi i Skënderbeut mund të konsiderohet një surprizë, pasi arriti që të shkojë në fazën finale me një skuadër pa shumë emra.
E veçanta është se Tetova dhe Gvozdenovic janë dy trajnerët e vetëm që kanë mbijetuar këtë edicion që nga fillimi i kampionatit dhe po shkojnë deri në fund. Meritë e veçantë dhe për këtë arritje, pasi kanë fituar përballë durimit të presidentëve që nuk tolerojnë shumë.
Orges Shehi, trajneri i Partizanit, është i vetmi nga trajnerët e “Final4” që ka provuar shijen e titullit si trajner. Në sezonin 2021-2022, 46-vjeçari ia doli të arrijë trofeun me Tiranën. Shehi e njeh mirë kampionatin shqiptar, pasi në krahasim me kolegët e sipërpërmendur ka drejtuar Skënderbeun, Kukësin dhe Tiranën e tashmë do titullin me të kuqtë. Diçka e rrallë të lëvizësh brenda kryeqytetit, por Shehi ka si qëllim që të fitojë titullin me dy nga skuadrat më me emër në Shqipëri.
Në fund, por jo nga rëndësia, Thomas Brdaric, 49-vjeçari e mori drejtimin e skuadrës vetëm para pak ditësh, duke synuar të realizojë atë që la përgjysmë në eksperiencën e parë në Shkodër. Afrimi i tij u duk sikur u bë vetëm për ndeshjet e “Final4”, pasi ekipi gati e kishte siguruar pjesëmarrjen në këtë fazë.
Tekniku gjerman, ka eksperiencë më tepër se trajnerët e tjerë, edhe për shkak se ka më shumë vite se ata në supe. Nëse do flisnim për karrierën e tij si lojtar, është superior pasi ka luajtur me kombëtaren jjermane, në finalen e Champions me Leverkusen dhe me skuadra me emër, por tani është në të njëjtat kushte me rivalët e tij.
Katër trajnerë në garë për një titull, që pa dyshim do i përjetësonte në historinë e klubeve që drejtojnë, por jo vetëm.