Planet ruse për aneksimin e Ukrainës, reagon Perëndimi!
Liderë të vendeve të Perëndimit reaguan duke i quajtur “të paligjshme” planet e autoriteteve ruse për zhvillimin e referendumeve në territoret e pushtuara të Ukrainës, me qëllim bashkimin me Rusinë. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, tha se “pa asnjë mëdyshje, Uashingtoni kundërshton çdo referendum të tillë”.
Ndërkohë, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, përdorën fjalën “mashtrim” për të përshkruar referendumet e paralajmëruara nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Para se të mbante një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, shefi i Elizesë u shpreh se “votat nuk do të kenë asnjë efekt ligjor”.
Gjithashtu, shefi i qeverisë së Berlinit nënvizoi se “është e qartë që referendumet nuk mund të pranohen nga ligji ndërkombëtar”. Planet e Moskës zyrtare i dënuan ashpër edhe Bashkimi Europian e Kanadaja.
Një ditë më parë, rajonet e pushtuara nga Moska në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume për bashkim me Rusinë. Analistët thonë se të tilla përpjekje të mbështetura nga Kremlini, krijojnë terren që Moska të përshkallëzojë luftën, pas sukseseve të Ukrainës në fushën e betejës. Referendumet që pritej të zhvilloheshin që në muajt e parë të luftës, tashmë fillojnë më 23 shtator për të përfunduar në datë 27, pra 4 ditë më pas. Fillimisht do të mbahen në rajonet Luhansk e Herson, si dhe në Zaporizhja e Donjeck. Dy të fundit kontrollohen pjesërisht nga Rusia.
Ndërkohë, sot presidenti rus Vladimir Putin shpalli mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, që do të nisë menjëherë. Njoftimi vjen në kohën kur pushtimi rus i Ukrainës është në muajin e shtatë. Po ashtu, shefi i Kremlinit paralajmëroi Perëndimin se “Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion, për të mbrojtur territorin e saj” dhe tha se “ky nuk është një mashtrim”.
Presidenti Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në atë që e quan “shantazh bërthamor” dhe pa ofruar asnjë provë, pretendoi se “përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”.