Ratifikohet marrëveshja e pensioneve me Italinë, Gonxhe: Nëndeklarimi i pagave rrezikon skemën vendase
Parlamenti i Shqipërisë ka ratifikuar sot marrëveshjen e pensioneve me Italinë, prezantuar nga ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe.
Gjatë prezantimit përballë deputetëve, përveç marrëveshjes, Gonxhe u ndal dhe tek problematikat e skemës në Shqipëri. Sipas ministrit, mosdeklarimi apo nëndeklarimi i pagave prek drejtpërdrejtë pensionet.
“Skema e pensioneve është kontributive, dhe bazohet mbi deklarimet e pagave. Pavarësisht se duam, të kemi rritje të pensioneve, duhet edhe ndërgjegjësim nga të gjithë që të deklarojmë pagat reale. Kemi shumë probleme me deklarimin e vërtetë të pagave që lidhet direkt edhe me pensionet, ne duhet te deklarojmë pagat nëse duan që të përfitojnë një pension të denjë në të ardhmen. Kjo lidhet edhe me masat që do të marrë shteti, por është edhe me ndërgjegjësimin e të gjithëve”, tha Gonxhja.
Ai theksoi se janë 480 mln euro në vit që shteti paguan për të mbuluar diferencën e skemës por edhe për të kontribuar në zbutjen e efekteve që kanë kostot për këta qytetarë që janë në këto skema.
“Është përgjegjësi edhe individuale, ka të bëjë edhe me kontrollin e gjithçka tjetër që shteti mund të bëjë në këtë drejtim nëpërmjet agjencive të veta”, tha ministri në Kuvend.
Ndonëse edhe opozita votoi pro marrëveshjesh me Italinë, kërkoi që qeveria të bëjë më shumë për pensionistët, nisur nga miratimi i minimumit jetik.
“Të dhënat janë kokëforta dhe ne nuk patëm mundësi që t’i diskutojmë të plota në Komisionin e Ekonomisë dhe si rezultat i zhurmës së përhershme, edhe kur interesohesh për të marrë informacione, bën keq. Por INSTAT thotë që rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur me 2% për moshën mbi 65 vjeç, ndërkohë që në vitin 2022 pensionistët me pensionin tonë të pjesshëm janë 48% e totalit të pensionistëve. Që do të thotë sot 1 në 2 pensionistë e ka pensionin e pjesshëm. Të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT theksojnë që 85% e pensionistëve, kryesisht në fshat, i kanë të ardhurat e tyre nga pensioni më të ulëta se minimumi jetik dhe është niveli i përcaktuar dhe i llogaritur nga EUROSTAT, sepse siç të gjithë e dimë, nuk kemi një nivel zyrtar të përcaktuar për sa i përket minimumit jetik”, tha deputetja demokrate Jorida Tabaku në Kuvend.