Blinken: Rishikim i marrëdhënieve Amerikë-Gjeorgji!
“Në gjatë muajt e fundit, partia Endrra Gjeorgjiane në pushtet ka hartuar dhe miratuar një ligj për ndikimin e huaj, i cili do të minonte lirinë e shprehjes dhe bashkëpunimit. Po ashtu do të stigmatizonte organizatat që u shërbejnë qytetarëve të Gjeorgjisë e do të pengonte organizatat e pavarura të medias që punojnë për të siguruar aksesin e gjeorgjianëve te lajmet e pavarura”. Kjo thuhet në një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Përmes deklaratës, kryediplomati i Uashingtonit vuri në dukje se në përgjigje të veprimeve të qeverisë gjeorgjiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zbatojnë një politikë të re të kufizimit të vizave për Gjeorgjinë. Masa përfshin zyrtarë, familjet e tyre dhe bashkëpunëtorët, përgjegjës për minimin e demokracisë në shtetin gjeorgjian.
Me qindra mijëra njerëz kanë protestuar në rrugët e kryeqytetit gjeorgjian, Tbilisi, kundër vendimit të parlamentit për të miratuar projektligjin mbi agjentët e huaj e që kritikët e quajnë një ligj të stilit rus. Protestues dhe anëtarë të opozitës janë dhunuar nga forcat e rendit.
Në deklaratën e sekretarit Blinken, thuhet edhe se qeveria gjeorgjiane ndërmori një fushatë frikësimi e dhune për të shtypur protestat paqësore, veprime që sipas tij, “dëmtojnë demokracinë gjeorgjiane”. Më tej, në deklaratën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken thuhet:
Mbështetja amerikane për demokracinë në Gjeorgji është e gjatë dhe themelore për marrëdhëniet tona dypalëshe. Kushdo që minon proceset ose institucionet demokratike në Gjeorgji, përfshirë periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të tetorit 2024 në Gjeorgji, mund të konsiderohet i papërshtatshëm për t’u pajisur me vizë amerikane dhe nuk i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryediplomati amerikan njoftoi edhe një rishikim të plotë të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Gjeorgjisë. Kjo me shpresën që udhëheqësit në Tbilisi të rishqyrtojnë projektligjin e të ndërmarrin hapat e duhur drejt aspiratave euroatlantike.