Edhe 275 milion dollarë ndihma ushtarake amerikane për Kievin/Rusia përparon në Ukrainë!

vovalbania May 25, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Edhe 275 milion dollarë ndihma ushtarake amerikane për Kievin/Rusia përparon në Ukrainë!

Administrata e presidentit Joe Biden njoftoi dje ndihma të reja ushtarake me vlerë 275 milion dollarë për Ukrainën, ndërsa Kievi po përballon me vështirësi avancimin e forcave ruse në rajonin Kharkiv. Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se paketa e re e ndihmave, për të cilën u fol paraprakisht të enjten nga dy zyrtarë amerikanë, “është pjesë e përpjekjeve tona për ta ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë sulmin e Rusisë pranë Kharkivit”.

Ndihmat e dhëna më herët kanë mbërritur tashmë në vijën e frontit e do t’i transportojmë me shpejtësinë më të madhe të mundshme edhe ndihmat e reja, që ushtria ukrainase të mundet t’i përdorë për të mbrojtur territorin e tyre e për të mbrojtur popullin ukrainas. Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni ndërkombëtar që kemi ngritur do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës në mbrojtje të lirisë së saj.

Paketa e re e ndihmave përmban edhe sisteme raketash të lëvizshmërisë së lartë HIMARS, si dhe predha të kalibrit 155 mm e 105 mm, tepër të nevojshme për goditjet me artileri. Po ashtu, paketa përmban sisteme antitank Javelin e AT-4, mina antitank, autoblinda taktike, armë të lehta e municione.

Me paketën më të fundit të ndihmave, tashmë Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për Ukrainën ndihma ushtarake me vlerë të përgjithshme rreth 51 miliardë dollarë që kur Rusia filloi sulmin ushtarak në shkurt 2022.

Mbrëmë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski njoftoi se dje vizitoi Kharkivin e atje pati një takim me zyrtarë ushtarakë, drejtuesit e shërbimeve speciale dhe autoritetet rajonale e të qytetit. Zelenski vuri në dukje se forcat ukrainase arritën të merrnin nën kontroll zonat kufitare në pjesët veriore të Kharkivit, ku trupat ruse filluan një sulm këtë muaj.

Komentet e tij ndryshojnë nga ato të Viktor Vodolatskit, një anëtar i Dumës së Shtetit të Rusisë (Dhoma e Ulët e Parlamentit). Vodolatski u citua nga agjencia e lajmeve Tass të ketë thënë se forcat ruse kanë nën kontroll mbi gjysmën e territorit të qytetit Vovchansk, 5 kilometra brenda pjesës ukrainase.

Po ashtu, Vodolatski u citua të ketë thënë se pasi të sigurohej qyteti Vovchansk, forcat ruse do të vazhdonin drejt tre qyteteve në rajonin lindor ukrainas Donetsk: në Sloviansk, Kramatorsk e Pokrovsk.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur versionet e secilës palë për zhvillimet në fushëbetejë. Rusia goditi trenat dhe shinat e dëmtoi ndërtesat në rajonin verilindor Kharkiv, në kuadrin e një kundërofensive të koordinuar të forcave ruse në Ukrainën lindore.

Kompania kombëtare e hekurudhave të Ukrainës, “Ukrzaliznytsia” tha se nuk kishte të lënduar nga sulmet ruse në hekurudhë.

Zyrtarë lokalë thanë dje se po evakuojnë fëmijët nga Kharkivi, pasi po bombardohet nga forcat ruse. Ofensiva e Rusisë synon të testojë mbrojtjen e Ukrainës në rajonin Kharkiv dhe më tej në jug në rajonin Donetsk, ndërsa po fillon sulmet në rajonet veriore Sumy e Chernihiv.

Përparimet e reja të Rusisë janë sprova të mëtejshme ndaj ushtrisë së Ukrainës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65729 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE