Ministrja e Arsimit, Kushi reagon lidhur me kërkesën e pedagogëve për rritjen e pagave!
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, deklaroi sot në Kuvend se do të kenë një vendimmarrje lidhur me kërkesën e pedagogëve për rritjen e pagave. Në një replikë në Kuvend ndaj deputetes demokrate, Ina Zhupa, e cila i kërkoi qeverisë të reagojë mbi kërkesat e pedagogëve për rritje page, ministrja Kushi tha se “që në datën 22 gusht, në Ministrinë e Arsimit zhvilluan një takim me rektorët e administratorët e universiteteve bashkë edhe me ministren e Financave për çështjen e pagave të pedagogëve, por edhe çështje të tjera financiare”.
Kemi diskutuar gjatë. Kemi vlerësuar të gjithë alternativat, nesër kemi një takim me përfaqësues të sindikatës së universiteteve pikërisht ata që kanë firmosur peticionin. Vetëm për dialogun me universitetet nuk mund të na akuzoni sepse nëse ka dialog më intensiv me universitetet ky është pikërisht gjatë këtij viti të fundit.
Na akuzoni për mosmbështetjen e studentëve, por a ka pasur në të gjithë këto vite bursa për studentët që janë sa paga minimale, 340 mijë lekë, tani që rritet edhe paga minimale. Të gjithë ata studentë që janë ekselentë, që fitojnë olimpiada do të përfitojnë edhe përjashtim nga tarifat edhe bursë studimi sa paga mininale. Bursat që lidhen me paktin për universitetin vazhdojnë të jenë në fuqi.
Në arsim ne duhet të bashkëpunojmë. Madje kemi edhe ligjin e arsimit parauniversitar në konsultim publik. Shumë shpejt do të vijë në Parlament dhe këtu jo vetëm unë po MAS dhe gjithë qeveria, jemi të hapur, presim sugjerimet tuaja si ta përmirësojmë këtë ligj. Si ta bëjmë akoma më të mirë.
Edhe ditën e parë të shkollës, në datën 12 shtator shumë prej jush në vend që të uroni nxënësit, mësuesit, postimet që keni bërë në rrjete sociale kanë qenë një dëshpërim i jashtëzakonshëm. Kjo shkollë është në kushte mjerane, këtu nuk bëhet mësim. Ky ishte urimi që i jepni ju nxënësve?! Ky është motivimi që ju jepni ju mësuesve?! Të paktën vetëm një ditë në vit ju duhet të ishit pozitivë. Ju duhet t’i motivonit mësuesit, ju duhet t’i inkurajonit nxënësit. Sepse fillojnë një rrugëtim të bukur që është rrugëtimi i dijes.