Vijon e rëndë gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi/Dëshmia e njërit prej autorëve!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Vijon e rëndë gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi/Dëshmia e njërit prej autorëve!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2024/05//vijon-e-rende-gjendja-shendetesore-e-avokatit-sokol-mengjesi-deshmia-e-njerit-prej-autoreve.jpg)
Një ditë pasi u dhunua barbarisht në rrugën “Pjetër Bogdani” në Tiranë, vijon e rëndë gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi. 45-vjeçari i cili u godit barbarisht për shkak të detyrës mbahet në monitorim mjekësor në Reanimacionin e Spitalit të Traumës në kryeqytet. Pasi la fëmijën në kopësht, dje në zonën e ish-Bllokut, Mëngjesi u dhunua nga tre persona të identifikuar nga policia si shtetasit Dorian Alia, Elton Kasaj e Drivaldo Aliaj. Një person i katërt, Romario Tabaku akuzohet se siguroi largimin e tyre nga vendngjarja.
Siç bëri të ditur, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, goditja ndaj Sokol Mëngjesit erdhi për shkak të detyrës. Mëngjesi përfaqësonte një familje, në një çështje prone të fituar në procese gjyqësor në Shkallën e Parë e në Apel, por njëri prej pjesëtarëve të familjes nuk pranonte ta paguante duke mos iu përmbajtur kontratës.
Kjo mosmarrëveshje shkoi deri në dhunimin e avokatit, i cili nuk ishte tërhequr ndaj detyrimeve kontraktuale me Dritan Nanon.
Pasditen e djeshme, në DVP-në Tiranë u vetëdorëzua njëri prej dhunuesve, Dorian Alia. Ndërkaq është zbardhur dëshmia e 32-vjeçarit.
Dorian Alia ka deklaruar se aktin e kreu “për miqësi” pasi ia kërkoi Dritan Nano dhe tha se nuk e dinte peshën e avokatit Mëngjesi. Po ashtu, u shpreh se bashkë me autorët e tjerë donin t’i bënin presion të hiqte dorë nga gjyqi që kishte hapur pasi kërkonte shlyerjen e detyrimeve nga pala që përfaqësoi.
Po ashtu, blutë vunë në pranga personin e dyshuar si porositësin e dhunës ndaj avokat Mëngjesit, Dritan Nanon, i cili mohoi përfshirjen. Tre të tjerët janë në kërkim. Për çdo informacion që do të çojë në kapjen e tyre, policia ofron 20 mijë euro shpërblim. Plani për ta dhunuar avokatin mendohet të jetë përgatitur një muaj më parë. Personat e përfshirë kishin lidhje krushqie mes tyre.