Forcat izraelite zgjerojnë ofensivën në Rafah, vriten 12 persona, mes tyre dy fëmijë!

vovalbania May 31, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Forcat izraelite zgjerojnë ofensivën në Rafah, vriten 12 persona, mes tyre dy fëmijë!

Forcat izraelite goditën të premten objektiva në gjithë territorin e Rripit të Gazës, përfshirë sulme ajrore në qytetin e Rafahut, ku tani është përqendruar ofensiva ushtarake e Izraelit.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press të paktën 12 persona u vranë në dy sulme ajrore të premten, mes së cilëve dy fëmijë dhe katër gra.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj “po vazhdojnë operacionet ushtarake” në zonën e Rafahut dhe se kanë gjetur raketa-hedhës, armë dhe tunele nëntokësore në qendër të qytetit.

Ofensiva e zgjeruar e Izraelit në Rafah ende nuk cilësohet si “operacion madhor” nga administrata e Presidentit Biden, sipas një prej zëdhënësve të Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

“Në bazë të fakteve në terren, ende nuk kemi parë operacion të madh në Rafah,” deklaroi zëdhënësi Patel të enjten. “Kemi qenë të qartë se çfarë nuk është, nuk bëhet fjalë për operacion të madh ushtarak.”

Ndërkohë, në një takim të tensionuar, këshilltari izraelit për sigurinë kombëtare njoftohet t’u ketë thënë familjeve të pengjeve të enjten se qeveria e Izraelit nuk është e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen për lirimin e tyre dhe se nuk ka një plan të dytë.

Ky takim erdhi një ditë pasi zyrtari i lartë izraelit Tzachi Hanegbi tha se parashikon që lufta të zgjatë edhe shtatë muaj të tjerë në përpjekje për të shkatërruar kapacitetet ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe grupeve tjera militante që operojnë në Gazë.

Sipas familjarëve të pengjeve që ishin në takim me zotin Hanegbi, ai u ka thënë atyre se e vetmja shpresë për arritjen e një marrëveshjeje është përmes trysnisë publike. Anketat që masin opinionin publik duhet të dëshmojnë që shumica e izraelitëve janë pro përfundimit të luftës në këmbim të kthmit të pengjeve, citohet të ketë thënë zoti Hanegbi, sipas agjencisë Associated Press.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për ndihma paralajmëroi se operacioni ushtarak i Izraelit në Rafah ka kufizuar shumë futjen e ndihmës humanitare dhe po rrezikon të shkaktojë “një nivel të njëjtë katastrofik të urisë” si në pjesën veriore të Gazës.

Zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric u tha gazetarëve të enjten se niveli i urisë në pjesën qendrore dhe jugore të Gazës “po përshkallëzohet me shpejtësi.”

Komanda Qendrore amerikane njoftoi se ushtria amerikane nuk ka hedhur ndihmë nga ajri në Gazë që nga 9 maji. Zyrtarë të Pentagonit kanë fajësuar motin e përkeqësuar dhe ofensivën e Izraelit në Rafah. Mungesa e ndihmave nga ajri ndodh në një kohë kur porti i përkohshëm i ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara pësoi dëmtime të mëdha për shkak të erërave të forta dhe detit të trazuar, një javë pasi u ndërtua.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65738 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE