Kolegji i Evropës në Tiranë hapi dyert për herë të parë!
Për herë të parë, sot në Tiranë hapi dyert Kolegji i Evropës, me 24 nëpunësit civilë nga Ballkani Perëndimor, të cilët do të jenë pjesë e trajnimit: “Çështjet Evropiane dhe Bashkëpunimi Rajonal”. I pranishëm në ceremoni, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se hapa të tillë e bëjnë të ardhmen tonë në Evropë më të prekshme.
Mirëpresim trajnimin e Kolegjit të Evropës për nëpunësit e rinj civilë nga Shqipëria dhe rajoni. Hapa të tillë e bëjnë të ardhmen tonë në Evropë më të prekshme. Iniciativa e Kolegjit është një hap gjigant për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor.
Kryediplomati Hasani theksoi se Kampusi i Tiranës do të vendosë rajonin tonë në hartën e profesionistëve të BE-së.
Disa do të argumentonin se ne kemi një rajon të trazuar, me hije të gjata nga e kaluara. Nuk e ndryshojmë dot të kaluarën, por mund të bëjmë më shumë për të ardhmen.
Besoj se për të gjithë ju që vini nga rajoni, do të ndjeni frymën e Evropës këtu. Shfrytëzojeni atë ndjenjë dhe ndërtoni ura bashkëpunimi që do ta forcojnë rajonin tonë. Vetëm kështu do mund të finalizojmë qëllimin tonë, integrimin e plotë në BE.
Mirë se vini në Kolegjin e Evropës, jini të guximshëm, jini evropianë!
E pranishme, ishte dhe Frederica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës.
E fillojmë këtë trajnim 2-javor në Ministrinë e Jashtme dhe unë besoj se është shumë e rëndësishme e një investim shumë i lartë institucional dhe politik që Shqipëria po bën, jo vetëm për Kolegjin e Evropës duke ngritur Kampusin këtu, por gjithashtu për diversitetin e nismave e programeve dhe kontributeve që jepen nëpërmjet këtij Kolegji. Përmes tij, ne mund të sjellim këtë frymë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Kolegji është investim dhe për integrimin e vendeve të rajonit e Shqipërisë në BE.
Paralelisht me këtë, me aktiviteitn që nisim sot do të donim të zhvillonim edhe shumë aktivitete të tjera e trajnime të reja të realizuara specifikisht për nëpunësit e shërbimit civil, administratën dhe administratorë të tjerë drejt përafrimit me standardet e BE-së, drejt përgatitjes së terrenit për integrimin e gjithë rajonit në Union.