DASH, apel për proces të drejtë ligjor ndaj të arrestuarve në Serbi për krime lufte!

vovalbania June 05, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
DASH, apel për proces të drejtë ligjor ndaj të arrestuarve në Serbi për krime lufte!

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) sot i tha Radios Evropa e Lirë se është në dijeni për arrestimin e një individi nga autoritetet serbe, nën dyshimet për krime lufte në vitet ’90 e bën thirrje për një proces ligjor të drejtë e transparent ndaj tij, si dhe të tjerëve, të arrestuar për të njëjtat dyshime.

Një zëdhënëse e DASH-it e dha këtë deklaratë kur u pyet për të komentuar ndalimin e shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafa nga autoritetet serbe, në pikëkalimin kufitar me Serbinë, Merdare, më 1 qershor. Një gjykatë në Beograd vendosi që ai të qëndrojë 30 ditë në paraburgim.

Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë e transparent për këtë rast, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundimin e ligjit, u tha ndër të tjera në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Zv.kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, pati thënë më 1 qershor se “dyshohet se në cilësinë e anëtarit të Ushtrisë Çlimtare të Kosovës, Mustafa është përmendur në deklarata të dëshmitarëve, si pjesëmarrës në rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë”.

Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij. Ministria ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit +383 46 51 00 51, për të gjithë shtetasit e Kosovës që mund të përballen me vështirësi gjatë udhëtimit të tyre në territorin e Serbisë.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për ato që shihen si dyshime se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-99. Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe arrestuan shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Duraku, po në një pikëkalim kufitar, sërish me dyshimet për krime lufte.

Familjarët e tij i hodhën poshtë akuzat, duke deklaruar se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen. Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë e Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.

Së fundmi, atij iu vazhdua masa e paraburgimit edhe për 30 ditë. Më herët gjatë vitit, kryeministri Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për “arrestime të padrejta, të qëllimshme e keqdashëse ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64056 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE