Kufizime të reja për azilkërkuesit në kufirin SHBA-Meksikë!

vovalbania June 05, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kufizime të reja për azilkërkuesit në kufirin SHBA-Meksikë!

Presidenti amerikan, Joe Biden firmosi një urdhër të ri ekzekutiv, që do të kufizojë përkohësisht të drejtën për të kërkuar azil në kufirin SHBA-Meksikë sa herë që numri i emigrantëve që kalojnë në mënyrë të paligjshme ose pa autorizim arrin një mesatare ditore prej 2 mijë e 500 vetësh.

Ata që hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme, nuk do të kenë të drejtë për azil, nëse nuk kanë arsye të jashtëzakonshme për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Këto masa, nuk do të rregullojnë sistemin tonë të emigracionit, por ato mund të na ndihmojnë shumë në menaxhimin më të mirë kësaj sfide të vështirë, – tha presidenti Biden në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas zyrtarëve amerikanë, kufizimet e përkohshme të numrit të atyre që do të kenë të drejtë të kërkojnë azil do të hyjnë në fuqi kur mesatarisht të hyjnë mbi 2 mijë e 500 emigrantë në vend dhe ato do të pezullohen kur shifra të zbresë nën 1 mijë e 500 në ditë.

Këto kufizime hyjnë në fuqi menjëherë. Të dhënat e raportuara fillimisht nga kanali “CBS News” tregojnë se zyrtarët e Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara ndaluan 3000 emigrantë më 20 maj dhe një mesatare prej 3700 emigrantësh në ditë gjatë 21 ditëve të para të majit.

Kush preket?

Të gjithë emigrantët, pa dallim kombësie, që hyjnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme përmes kufirit jugor preken nga ky urdhër. Ndërsa kufizimet janë në fuqi, emigrantët që kalojnë kufirin jugor dhe u nënshtrohen procedurave për largim të përshpejtuar do të referohen për një kontroll të besueshëm te një zyrtar azili vetëm nëse kanë frikë se mund të jenë në rrezik nëse kthehen në vendin e tyre.

Bëhet fjalë për “frikë nga përndjejkjet, tortura apo një nga kushtet e tjera të aplikimit për azil”, tha një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Por, nuk është e lehtë për emigrantët që të ngrejnë zërin, sepse shumica e tyre nuk flasin anglisht, thonë aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të imigrantëve.

Ata nuk flasin gjithmonë anglisht. Ata nuk e dinë gjithmonë se cila është mënyra si duhet të kërkojnë siguri, tha për Zërin e Amerikës Amy Fischer, drejtore për të Drejtat e Refugjatëve dhe Emigrantëve në organizatën “Amnesty International USA”.

Zyrtari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i cili nuk u identifikua, trajtoi dhe çështjen e dëbimit të emigrantëve.

Këto masa do të zbatohen si për individët nga hemisfera jonë, ashtu edhe për emigrantët e hemisferës lindore. Sa i përket kthimeve në Meksikë, ne do të vazhdojmë të dëbojmë shtetasit e Kubës, Haitit, Nikaraguas e Venezuelës, bazuar në marrëveshjen tonë të mëparshme.

Disa emigrantë janë të përjashtuar nga këto kufizime, duke përfshirë fëmijët e pashoqëruar, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, emigrantët që përballen me urgjenca mjekësore dhe ata me viza të vlefshme ose leje për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Personat që përdorin procese të ligjshme hyrjeje, si aplikacioni celular “CBP One” i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit apo rrugë të tjera të ligjshme, nuk do të preken nga ky urdhër.

Pasojat

Ata që kalojnë në mënyrë të paligjshme pas hyrjes së këtyre kufizimeve në fuqi dhe nuk kanë një arsye për të vërtetuar se mund të përballen me përndjekje apo torturë në vendin e tyre do të “largohen menjëherë dhe atyre do t’u ndalohet hyrja në Amerikë për një periudhë 5-vjeçare”.

Po ashtu mund të përballen me akuza penale, tha zyrtari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64141 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE