Alcaraz thyen rekordin në tenis, lë pas legjenda si Nadal, Agassi dhe Borg!
Carlos Alcaraz ia doli të kualifikohej për në finalen e Roland Garros pas një dueli madhështor në gjysmëfinale me Jannik Sinner. Spanjolli triumfoi me sete 3-2 pas më shumë se katër orë lojë, ku të dy tenistët e brezit të ri dhuruan spektakël për të pranishmit në Philippe-Chatrier.
Kështu, Alcaraz ia doli që të mbërrijë për herë të parë në finalen e turneut francez teksa të dielën do të përballet me Alexander Zverev. Kjo është finalja e tretë Grand Slam për 21-vjeçarin pas atyre të US Open dhe Wimbledon, duke u shndërruar kështu në tenistin e parë në histori që arrin tre finale në tre terrene të ndryshme (çimento, bar dhe në fushën me dhe) në këtë moshë. Një rekord special për Alcaraz që lë pas legjenda të tenisit si Andre Agassi, Bjorn Borg apo Rafael Nadal.
Mosha e tenistëve me tre finale në tre terrene të ndryshme:
1-Carlos Alcaraz: 21-vjeç e 1 muaj
2-Andre Agassi: 22-vjeç e 1 muaj
3-Bjorn Borg: 22-vjeç e 2 muaj
4-Rafael Nadal: 22-vjeç e 6 muaj
5-Jim Courier: 22-vjeç e 10 muaj
6-Mats Wilander: 23-vjeç e 9 ditë
Vlen të theksohet se në dy finalet e luajtura deri më tani në US Open dhe Wimbledon, Alcaraz ia ka dalë të triumfojë dhe mbetet për të parë nëse do të ruajë këtë statistikë pozitive edhe në finalen e parë për të në Roland Garros për të festuar më pas titullin e tretë Grand Slam.