Zgjedhjet për PE-në, përparon e djathta ekstreme!

vovalbania June 10, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet për PE-në, përparon e djathta ekstreme!

Rezultatet paraprake tregojnë se partitë e qendrës, liberale dhe socialiste do të ruajnë shumicën në Parlamentin Europian, por fitorja e së djathtës ekstreme iu dha goditje të brendshme udhëheqësve të disa vendeve, përfshirë Francës dhe Gjermanisë. Zgjedhjet për Parlamentin Europian u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor në të 27 vendet e Bashkimit Europian.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shpalli zgjedhjet e parakohshme kombëtare, pasi partia e tij u mposht bindshëm nga rivalja e ekstremit të djathtë. Macron shpërndau Parlamentin dhe shpalli datën e votimeve më 30 qershor.

Kam vendosur t’ju mundësoj me votë zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare.

Partia Fronti Kombëtar, e udhëhequr nga rivalët e Macronit, Marine Le Pen e Jordan Bardella shënoi një nga sukseset më të mëdha në mesin e partive të ekstremit të djathtë në Europë. Rezultatet paraprake treguan se siguroi mbi 30% vota më shumë se Rilindja e qendrës e Macronit. Goditje të ngjashme si shefi i Elizesë përjetoi dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Socialdemokratët e tij shënuan rezultatin më të keq ndonjëherë, duke dalë të tretët pas Demokristianëve opozitarë e pas partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë. AfD-ja u përball me një sërë skandalesh kohët e fundit, përfshirë spiunazh dhe ndërhyrje të huaja, por mbështetja për të mbeti e qëndrueshme.

Pas breshërisë së javëve të fundit, ne jemi forca e dytë më e madhe. Dhe unë po ju them: e vetmja rrugë është lart, tha bashkëkryetarja e partisë, Alice Weidel.

E djathta shënoi fitore edhe në Spanjë, si dhe përparim të konsiderueshëm në Hungari. Në Holandë, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë doli e dyta, ndërsa në Austri, partia me të njëjtin emër doli fituese.

Në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni do të vazhdojë udhëheqjen e politikave të vendit, pasi partia e saj e ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, mundi Partinë Demokratike të qendrës së majtë.

Faleminderit italianëve që vazhdojnë të na zgjedhin… Jam krenare për rezultatin.

Por, e djathta ekstreme nuk performoi mirë në Belgjikë, Çeki, Hungari, Finlandë e Poloni.

Qendra po mbahet, por gjithashtu është e vërtetë se ekstremet në të majtë dhe në të djathtë kanë fituar mbështetje, tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Dhe kjo është arsyeja përse rezultati vjen me përgjegjësi të madhe për partitë e qendrës, shtoi von der Leyen, e cila synon rizgjedhjen.

Shumicën në Parlamentin Europian, i cili ka 720 vende, pritet ta formojë sërish Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë, e cila, sipas rezultateve të para ka fituar 184 prej tyre.

Por, rezultati i së djathtës brenda Parlamentit Europian mund ta bëjë më të vështirë miratimin e ligjit të ri, që mund të jetë i nevojshëm për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, ndikimit të ndryshimeve klimatike ose konkurrencës industriale nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64117 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE