Matura Shtetërore, sot testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë!
Rreth 28 mijë maturantë sot testohen për njohuritë e tyre në Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë. Pas provimit të parë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës së Huaj, gjimnazistët do të duhet t’i japin zgjidhje pyetjeve me alternativa dhe zhvillim në lëndën Gjuhë dhe Letërsi. Testi përmban gjithsej 60 pikë.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu uroi të gjithë maturantët që zhvillojnë provimin e rëndësishëm të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Një javë më parë, edhe ky vit nuk bëri përjashtim sa i përket provimit të Gjuhës së Huaj, i pari i Maturës Shtetërore. Teza e anglishtes u publikua në të dyja variantet në rrjetet sociale, 30 minuta para nisjes së testit. Çdo vit përsëritet historia e publikimit të tezave të provimeve të Maturës, që si rregull duhej të ishin sekret.
Rreth 28 mijë maturantë në vend iu nënshtruan testit të hartuar me tre nivele vështirësie, bazuar në programin mësimor. Provimi zgjati 2 orë e 30 minuta. 70% e qendrave të provimit ishin të pajisura me kamera.
Këtë vit, 2 mijë maturantë më pak po i nënshtrohen Maturës Shtetërore. Janë rreth 2 mijë e 900 punonjës të strukturave të MAS-it, të angazhuar me administrimin. Ndërkaq, Matematika jepet më 18 dhe provimi i fundit me zgjedhje, më 24 qershor.
Më 2 qershor, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Manastirliu vuri theksin te zbatimi me rigorozitet i rregullores së Maturës Shtetërore.
Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh, theksoi ministrja Manastirliu.
Në provimet e Maturës Shtetërore do të marrin pjesë rreth 28 mijë nxënës, maturantë. Për monitorimin dhe administrimin e procesit do të angazhohen më shumë se 2 mijë e 900 punonjës të sistemit arsimor, përfshirë mësues, administratorë provimesh e staf të MAS-së dhe strukturave të varësisë.
Do të jenë 1 mijë e 900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore e mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta. Gjithashtu janë 230 administratorë për monitorimin dhe vlerësimin e mbarëvajtjes së testimeve në të 144 pikat e provimeve.