Temperaturat deri në 43 gradë, Greqia detyrohet t’i mbyllë para kohe shkollat!
Me sugjerimin të meteorologëve, të cilët paralajmërojnë për katër ditë temperatura shumë të larta deri në 43 gradë Celsius, shumë bashki në të gjithë Greqinë kanë vijuar me vendimin për të mbajtur të mbyllura kopshtet dhe shkollat fillore.
Vihet re se vala e të nxehtit do të prekë kryesisht rajonet qendrore dhe jugore të Greqisë kontinentale. Mediat vendase shkruajnë se piku i vapës pritet nesër, e mërkurë, 12 qershor dhe ditën e enjte, 13 qershor.
Të premten e datës 14 qershor përfundon viti shkollor për kopshtet dhe shkollat fillore, çka do të thotë se vapa ndoshta e sjell fundvitin para kohe.
Edhe në vendin tonë, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme si rezultat i masave ajrore të nxehta dhe të thata me origjinë nga Afrika e Veriut.
Moti parashikohet i kthjellët e vranësira të pakta deri mesatare kalimtare në në orët e mesditës dhe pasdites.
Era pritet të fryjë me drejtim jugperëndim-veriperëndim me shpejtësi mesatare 1-5 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina në orët e mesditës era fiton shpejtësi 6-10 m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-3 ballë.