Biden nuk pret marrëveshje për armëpushim në Gaza, në të ardhmen e afërt!

vovalbania June 14, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Biden nuk pret marrëveshje për armëpushim në Gaza, në të ardhmen e afërt!

Joe Biden pesimist për një marrëveshje armëpushimi në Gaza. Presidenti amerikan tha se nuk pret të arrihet akord në një të ardhme të afërt. Kjo pasi një propozim i mbështetur nga SHBA-të e të tjerët nuk është pranuar plotësisht nga Izraeli apo Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Amerika e Bashkimi Europian.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se për armëpushimin, liderët ndërkombëtarë kanë diskutuar në samitin e G7-ës në Itali, por kur u pyet nga gazetarët nëse një marrëveshje armëpushimi do të arrihet së shpejti, u përgjigj thjesht “Jo”. Por, shpresa vdes e fundit.

Unë nuk e kam humbur shpresën.

Një ditë më parë, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Jake Sullivan hodhi poshtë pretendimet se Izraeli nuk është plotësisht i përkushtuar ndaj planit të armëpushimit.

Izraeli e ka dhënë këtë propozim. Ka kohë që është ulur në tavolinë. Izraeli nuk e ka kundërshtuar dhe nuk e ka kthyer atë pas.

Hamasi iu përgjigj planit me kërkesa për ndryshime dhe Sullivan vuri në dukje se qëllimi është të kuptohet si të punojnë për të kapërcyer boshllëqet e mbetura e për të arritur një marrëveshje.

Hamasi thotë se ndryshimet e kërkuara synojnë të garantojnë një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza. Propozimi i armëpushimit i shpallur nga Biden, i përfshin këto dispozita.

Të hënën e 10 qershorit, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për të mbështetur propozimin e Shteteve të Bashkuara, me 14 vota pro e asnjë kundër. Rusia abstenoi.

Propozimi i presidentit amerikan, Joe Biden përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga të gjitha zonat e banuara të Gazës. Disa pengje, të moshuar e gra do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë. Civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gaza dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.

Në fazën e dytë, do të shkëmbeheshin të gjithë pengjet që nuk kanë ndërruar jetë, përfshirë ushtarë. Forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza e do të niste armëpushimi i përhershëm.

Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre.

Izraeli e nisi luftën, duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.

Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65187 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE