Një viktimë e 7 franceze të lënduara në dy aksidente rrugore në vend!
Një aksident me vdekje ndodhi sot te Ura e Shkozës në Tiranë, në bulevardin “Zhan D’ark”. Një makinë përplasi një të moshuar, i cili lëvizte me biçikletë e për fat të keq nuk iu mbijetoi dëmtimeve nga goditja. Mësohet se 76-vjeçari humbi jetën në vendngjarje. Grupi hetimor nisi punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit fatal.
Ndërkaq, shtatë turiste franceze kanë përfunduar në spitalin e Lushnjës. Shkak u bë një aksident që ndodhi kur furgoni me të cilin udhëtonin në drejtim të Beratit u përplas me një autokombajnë që lëvizte nga njëri krah i rrugës në tjetrin.
Policia në vendngjarje ka ndaluar drejtuesit e mjeteve të përfshirë e po disiplinon trafikun, si dhe po dokumenton ngjarjen që mund të kishte përfundim tragjik. Po marrin ndihmë mjekësore disa prej turistëve që kanë thyeje gjymtyrësh e dëmtime të tjera në trup.
Fatmirësisht sipas mjekëve nuk ka probleme serioze për shëndetin dhe po kryhen ekzaminimet përkatëse. Segmenti rrugor kombëtar Lushnjë-Berat bëhet vazhdimisht shkak aksidentesh pasi është vetëm me dy korsi vajtje-ardhje e kalon nëpër një zonë bujqësore ku mjetet motorike kalojnë nga njëra anë në tjetrën.