“Ethet” e Kombëtares në “Euro 2024”/Sa priten përfitimet!

vovalbania June 15, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
“Ethet” e Kombëtares në “Euro 2024”/Sa priten përfitimet!

Euro 2024, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit sonte do të përballet me atë italiane në një ndeshje që pritet të sjellë emocione të forta. Një garë futbollistike e madhe si Kampionati Europian, shoqërohet dhe me përfitime të rëndësishme të natyrës ekonomike.

Këtu përfshihen përfitimet direkte për Federatën Shqiptare të Futbollit, bonuset e mundshme për lojtarët, por edhe të ardhura shtesë për disa sektorë të veçantë të ekonomisë, të lidhur me zhvillimin e këtij evenimenti.

Të ardhurat që pritet të sigurojë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) nga pjesëmarrja në këtë kompeticion janë të konsiderueshme për një vend si Shqipëria. Sipas informacionit nga Federata Europiane e Futbollit (UEFA), pagesa fikse e pjesëmarrjes për secilën nga federatat pjesëmarrëse në Euro 2024 do të jetë 9.25 milion euro.

Me kualifikimin për në Europian, kjo shumë është një e ardhur e siguruar tashmë për FSHF-në. Të ardhurat e tjera do të jenë në varësi të rezultateve sportive që do të sigurojë Kombëtarja. Për çdo ndeshje të fituar në fazën e grupeve, ekipet do të përfitojnë 1 milion euro, ndërsa për çdo barazim do të marrin nga 500 mijë euro.

Në këtë mënyrë, e ardhura shtesë mund të arrijë deri në 3 milion euro, në rast se Kombëtarja do të arrinte t’i fitonte të gjitha ndeshjet. Kjo do ta çonte të ardhurën maksimale të mundshme nga faza e parë, në grupe, në 12.25 milion euro.

Më tej, kualifikimi për fazën e ardhshme, atë të të gjashtëmbëdhjetave do të shoqërohej me një bonus shtesë prej 1.5 milion eurosh. Pra, në rast se Kombëtarja kalon fazën e grupeve, FSHF-ja do të përfitonte 10.75 milion euro, plus të ardhurat nga fitoret ose barazimet e mundshme.

Në rastin më të mirë, pra, të arritjes së tre fitoreve, e ardhura nga faza në grupe do të arrinte në 13.75 milion euro. Duke pasur parasysh se në fazën e një të tetave do të kualifikohen 16 nga 24 ekipe pjesëmarrëse (dy vendet e para në çdo grup dhe katër vendet e treta më të mira) të paktën nga pikëpamja statistikore, shanset për të vazhduar më tej janë të konsiderueshme.

Në rast se Kombëtarja do të arrinte të kualifikohej më tej për në çerekfinale, bonusi nga UEFA për këtë fazë do të ketë vlerën e 2.5 milion eurove. Kjo do ta çonte përfitimin total për FSHF-në, në të paktën 13.25 milion euro (pa përfshirë të ardhurat nga rezultatet në fazën e grupeve).

Në rast të arritjes në gjysmëfinale, bonusi i parashikuar nga UEFA ka vlerën e 4 milion eurove. Kjo do ta çonte të ardhurën totale nga Europiani në të paktën 17.25 milion euro, plus shtesat e mundshme nga rezultatet e arritura në fazën e grupeve.

Skuadra që do të fitojë Kampionatin Europian do të përfitojë një shpërblim prej 8 milion eurosh, që e çon të ardhurën totale për ekipin fitues në të paktën 25.25 milion euro, plus të ardhurat nga rezultatet në grupe (e ardhura maksimale do të arrinte në 28.25 milion euro).

Ekipi që renditet i dyti do të marrë një shpërblim prej 5 milion eurosh, që do ta çonte të ardhurën minimale nga arritja në finale në shumën e 22.25 milion eurove (e ardhura maksimale llogaritet në 25.25 milionë euro).

Në fakt, të ardhurat maksimale të disponueshme do të jenë më të ulëta krahasuar me Euro 2020-ën, kur ekipi fitues mund të përfitonte deri në 34 milion euro. Në Euro 2024, shpërblimet e lidhura me rezultatet në secilën fazë do të jenë më të ulëta.

Natyrisht që Shqipëria nuk renditet mes ekipeve favorite për të shkuar deri në fazat e fundit të Kampionatit Europian, por, në rast se Kombëtarja do të befasojë me rezultatet e saj, të ardhurat do të ishin të mëdha dhe mund të përbënin një bazë për të rritur investimet në zhvillimin e futbollit në vend.

Kampionati Europian i Futbollit zhvillohet në datat 14 qershor-14 korrik në Gjermani./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64709 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE