Kurban Bajrami/ Besimtarët falin Namazin në sheshet kryesore të qyteteve!
Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin festojnë sot Kurban Bajramin. Për të kryer faljen e Namazit në këtë ditë të shenjtë për ta, besimtarët u mbledhën herët në mëngjes në sheshet kryesore të qyteteve në të gjithë vendin.
TIRANË – Në kryeqytet, mijëra besimtarë u mblodhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Falja nisi në orën 06:00. “Kjo ditë të shërbejë si një ditë reflektimi për më shumë dashuri me njëri-tjetrin”, tha kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.
DURRËS – Mesazhe paqeje, mirësie dhe në mbrojtje të familjes tradicionale u dhanë gjatë ceremonisë së faljes së Kurban Bajramit në Durrës. Falja e Kurban Bajramit, festës që simbolizon dashurinë dhe devotshmërinë e njeriut ndaj Zotit mblodhi që në orët e para të mëngjesit, besimtarët myslimanë në sheshin para Xhamisë së Madhe në qendër të Durrësit.
Gjatë mesazhit të tij, zv.myftiu, Eduart Shefkiu, ftoi besimtarët që së bashku me kurbanin t’i japin fund edhe veseve dhe mosmarrëveshjeve mes tyre. Nisur nga debatet e kohëve të fundit mbi martesat brenda së njëjtës gjini, imam Shefkiu u bëri thirrje besimtarëve të qëndrojnë larg tyre dhe të mbrojnë familjen tradicionale që vjen nga një burrë dhe një grua.
FUSHË KRUJË – Edhe në Fushë Krujë, besimtarët kanë falur Kurban Bajramin me urimin “më të bashkuar se kurrë”. Që në orët e para të ditës ata u bashkuan në stadiumin e këtij qyteti. Sipas fesë Islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit nis me faljen në xhami dhe më pas me prerjen e Kurbanit për ata që kanë mundësi dhe që ta shpërndajnë për njerëzit në nevojë.
SHKODËR – Besimtarët mysliman të Shkodrës, u falën në sheshin kryesor të qytetit. Përpara qindra besimtarëve, myftiu Imam Muhamed Sytari, u ndal te rëndësia e këtij momenti për çdo mysliman. Ai tha se bota është në krizë vlerash dhe u kërkoi besimtarëve të ruajnë familjen e shenjtë.
BULQIZË – Qindra myslimanë të rrethit të Bulqizës kryen ritin e faljes së Namazit të Kurban Bajramit. Riti i faljes u drejtua nga Myftiu i Bulqizës, Sejdin Strazimiri, i cili në fjalën e tij para besimtarëve tha se sot është një ditë e veçantë për të gjithë vitin, “është dita më e madhe e Kurban Bajramit, ndaj duhet t’ia japim hakun kësaj dite, dita ku të gjithë njerëzit duhet të respektojnë njëri-tjetrin duke lënë mënjanë meritë dhe idhnimet”.
PESHKOPI – Mbi 2000 myslimanë dibranë falën Namazin e Kurban Bajramit në stadiumin e qytetit të Peshkopisë. Kurban Bajrami është një nga dy festat islame të cilën e kremtojnë myslimanët në mbarë botën.
VLORË – Falja në Vlorë u krye në sheshin e Flamurit, pranë xhamisë së Plumbit, nën drejtimin e myftiut Ardit Hoxhllaku. Besimtarët u falën për mirësi, shëndet dhe fat për familjet e tyre.
FIER – Edhe besimtarët myslimanë në Fier, falën që në orët e para të mëngjesit të sotëm namazin e Kurban Bajramit. Ceremonia u parapri nga fjalët e myftiut të Fierit, Mikel Hazizolli. Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe e harmoni mes njëri-tjetrit e veçanërisht më shumë vëmendje ndaj njerëzve në nevojë.