Silvinjo për “Euro 2024”-ën: Përvojë e artë/Shpresoj të drejtoj Shqipërinë edhe për 10 vite!
Kombëtarja humbi 0-1 ndaj Spanjës në ndeshjen e tretë e të fundit për Grupin B të Euro 2024-ës dhe me vetëm një pikë është zyrtarisht e eliminuar nga “Gjermani 2024”. Mrekullia ndaj Spanjës nuk ndodhi, por për trajnerin brazilian Silvinjo kjo ishte një përvojë e artë dhe tha se shpreson ta drejtojë Shqipërinë edhe për 10 vite.
Silvinjo tha se shorti dhe grupi ishin të vështirë e se nuk jemi mësuar të luajmë në kompeticione të tilla, por se arritën të ishin kundërshtarë dinjitozë e nuk kanë keqardhje.
Urime për lojtarët, Shqipëria është krenare me ne. Synimi i Shqipërisë është të luajmë në evenimente të tilla, të arrijmë në nivele më të larta duke mësuar e duke u përmirësuar. Kemi synime të qarta, kemi lojtarët e duhur. Na pret një punë e madhe, por kemi materialin e duhur, – theksoi tekniku brazilian.
Teksa analizoi rrugëtimin e kuqezinjve, në konferencën e zakonshme për shtyp u shpreh:
Po, jam krenar për lojtarët e mi. Jam i lumtur për vendin, Federatën dhe gjithë tifozët. Kam jetuar për 1.5 vite në Tiranë, kam zbuluar lojtarë të rinj. Njerëzit mund të supozojnë që Italia do të na shënonte 3 gola, Kroacia 4 dhe Spanja 5.
Por, kemi bërë punë taktike, kemi patur shumë besim. Kemi sakrifikuar, arritëm të konkurrojmë kundër tri skuadrave kombëtare të mëdha.
Spanja është Kombëtare e madhe, ata kanë lojtarë shumë të mirë dhe të shpejtë. Skuadër e gatshme për të fituar, njëra nga favoritet për të fituar Europianin.
Shorti dhe grupi ishin të vështirë. Nuk jemi mësuar të luajmë në kompeticione të tilla. Shpresoj të jem në drejtimin e kësaj Kombëtareje për 10 vitet e ardhshme.
Kam kaluar shumë netë pa gjumë duke ëndërruar si duhet të luanim përballë skuadrave të tilla. Arritëm të ishim kundërshtarë dinjitozë, nuk kemi keqardhje. Urime për lojtarët, Shqipëria është krenare me ne.