KLSH audit tek Policia: Shtoni fotografinë në shkeljet rrugore. Policët i blejnë vetë mjetet e punës!

vovalbania June 25, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
KLSH audit tek Policia: Shtoni fotografinë në shkeljet rrugore. Policët i blejnë vetë mjetet e punës!

Edhe pse u miratua 5 vite më parë, fotografimi i shkeljeve rrugore nuk është i disponueshëm në Shqipëri.

Në një audit tek policia e Shtetit, Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se fotografia duhet të shtohet si provë në sistemin online të gjobave, duke ulur kështu numrin e ankesave dhe shkeljeve.

“Nga auditimi mbi procesverbalet e konstatimit të shkeljes, u konstatua se fotografimi nuk është bërë pjesë e formularit të miratuar për kundërvajtjen, miratuar me VKM nr. 42, datë 30.01.2019. Fotografia është prova që vërteton shkeljen e konstatuar. Mungesa e kësaj prove në informacionin që i vihet në dispozicion kundërvajtësit nëpërmjet shërbimeve online në eAlbania, bën që të ketë një numër të lartë ankesash në këtë drejtim” thuhet në auditim.

Ndër të tjera, KLSH ka gjetur problematika të tjera dhe në ndërlidhjet e sistemit e-Gjoba (gjobat online) me DPSHTRR-në, AKSHI-n dhe vetë Policinë.

Policët kanë probleme dhe me mjetet që përdorin gjatë punës së tyre. Letrën e printerave termikë që e kanë të lidhur me tabletët, agjentët e sigurojnë në mënyrë individuale pasi prej kohësh nuk ka patur gjendje.

Në disa raste, agjentët shprehën shqetësimin se dhe radiot e komunikimit i sigurojnë po në mënyrë individuale pasi nuk ka patur gjendje. Ky element cenon sigurinë në komunikimin ndërmjet tyre pasi radiot që shiten në treg jo gjithmonë i plotësojnë kriteret e nevojshme për të qenë të sigurta.

Vetë agjentët tregojnë se pajisjet alkoolmatëse, megjithëse janë të kolauduara, nuk japin të dhëna të afërta me sa konstatohet nga ky verifikim. Bllokimi i sistemit e-Gjoba në raste të caktuara dhe mungesa e pajisjet të nevojshme për agjentët e policisë rrugore në terren përbën risk në vendosjen e gjobave të pasakta.

Përveç regjistrimit në sistem, agjentët e policisë rrugore, thotë KLSH, i regjistrojnë kundravajtjet manualisht në një regjistër, ku të dhënat që regjistrohen aty lexohen nga sistemi, ku po të njëjtët punonjës i kanë regjistruar më parë. Ky veprim manual jo vetëm që nuk është efektiv, por rrit fiktivisht ngarkesën e punonjësve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65817 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE