Çfarë është gjysmë liria?! Gjyqtari Kalaja shpjegon aplikimin e këtij dënimi tek të burgosurit…

vovalbania June 29, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Çfarë është gjysmë liria?! Gjyqtari Kalaja shpjegon aplikimin e këtij dënimi tek të burgosurit…

Burgu i grave në Shqipëri po diskutohet që të mbyllet dhe të kthehet në  burg të hapur, ku do dërgohen shtetas të dënuar në gjysëm liri, pra ata qytetarë të gjendur fajtorë nga gjykatat, që ditën largohen për të punuar dhe në darkë kthehen në qeli. Por ngelet e paqartë se si do të  vihet në zbatim një dënim i tillë për shtetas që vendin e banimit dhe punën nuk  e kanë në Tiranë. Zyrtarisht pranohet se 9-fishi i shtetasve të dënuar po e vuajnë dënimin jashtë burgut me dënime alternative, detyrim paraqitje, punë me interes publik dhe liri me kusht. Të tillë janë 10 360 persona. Ndërsa në burg mbahen si të dënuar të formës së prerë 1724 persona. 2891 të tjerë kanë statusin e të paraburgosurit dhe prezumohen të pafajshëm gjersa gjykatat të flasin.

Pavarësisht ligjit që parashikon gjysëm lirinë, në pesë vjet u aplikua një dënim i tillë vetëm për 97 persona. Kjo shifër e ulët raportohet për shkak të mungesës së një institucioni në sistemin penitenciar. Ndërkohë që ky lloj dënimi ju vjen në ndihmë të dënuarve që po arsimohen, dikujt që ndjek një terapi apo ka përgjegjësi familjare dhe kryhet për krime jo më të larta se një vit burg.

Në episodin e radhës në podcastin “Fol me Anila Hoxhën” ka qenë i ftuar Florjan Kalaja, Gjyqtar Apeli për korrupsionin dhe krimin e organizuar për të folur mbi qëndrimet e gjykatave dhe risitë e ligjit mbas reformës në drejtësi dhe jo vetëm kaq.

Pjesë nga intervista: 

Anila Hoxha: Çfarë është gjysëm liria, zoti gjyqtar? 

Florjan Kalaja: Ju përgëzoj për nismën e marrë dhe iu uroj vazhdim të mbarë. Siç e ka termin “gjysëm liri” mund të përkthehet edhe nga ana tjetër gjysëm burgimi, që dënimi me burgim të mos vuhet i plotë, por të realizohet pjesërisht në institucion penitenciar, ku shteti ka ngritur për të vuajtur dënimin me burgim dhe pjesa tjetër sipas grafikut që ka lënë gjykata në mënyrën si e ka konceptuar dënimin alternativ, në dispozitivin e vendimit, të ekzekutohet në shoqëri. Individi të jetë në të njëjtën kohë, të vuajë, të përjetojë edhe qëllimet retributive të dënimit  penal që dmth. qëllim vetë ndërshkuese  apo parandaluese, të posaçme dhe të përgjithshme të dënimit penal. Por nga ana tjetër, individi të përjetojë apo të ketë mundësi në mënyrë të përditshme që të rehabilitohet përmes një jetesë në shoqëri, duke mos u shkëputur nga angazhimet e tij familjare dhe duke mos u shkëputur në mënyrë natyrore, po themi nga angazhimet e tij sociale, profesionale, kulturore, por paralelisht duke vuajtur edhe dënimin me burgim.

Anila Hoxha: Pse z. Kalaja aplikohet kaq pak?  Ne kur shikonim të dhënat që n’a u vendosën në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme  e Burgjeve, kuptuam që shifrat janë shumë të ulëta. Ka diçka që nuk shkon?

Florjan Kalaja: Unë e ndaj më shumë jo nga statistikat, por duke patur parasysh eksperiencën që kam. Edhe unë kam të njëjtën perceptim që neni 58 i Kodit Penal apo  “gjysëm liria” gjen zbatim të kufizuar në raport, po themi me dënimet e tjera simotra alternative. Për të vënë gishtin po themi, për të adresuar shkaqet se pse nuk është kjo frekuencë e njëllojtë në raport me simotrat e saj, konstatoj që  edhe raportet që vijnë apo po e marr nga këndvështrimi tjetër kur kam ushtruar funksioninin  e gjyqtarit të ekzekutimit konstatoj se është më e ndjeshme apo vijnë më shumë raporte nga ana e Shërbimit të Provës, nga ana e institucioneve penitenciare për të na treguar sesi është ekzekutuar puna në interes publik, sesi është ekzekutuar pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, vënies së të dënuarit me provë apo të dënimit me kusht qoftë edhe revokimet e tyre, sesa n’a vijnë raporte për të treguar, sesi është ekzekutuar gjysëm liria. Perceptimi im është që ndoshta infrastruktura penitenciare nuk është e tillë që t’a bëjë frekuente, ta bëj të zakonshme këtë lloj mënyre alternative të vuajtjes së dënimit me burgim. Por nga ana tjetër kjo sjell edhe një lloj stepje apo një lloj vetëpërmbajtje të gjyqtarit për t’iu qasur nenit 58 të Kodit Penal, duke e ditur apo duke e pasur të pasigurtë mënyrën sesi vendimi i tij do të ekzekutohet.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE