E dinit që ngjyra juaj e syve lidhet me dhimbjet e lindjes?! Ja çfarë zbulon studimi…
Ngjyra e syve tanë mund të tregojë se sa mirë ne tolerojmë dhimbjen, emocionet negative ose ankthin. Shkencëtarët thonë se ne mund të parashikojmë se cili do të ishte pragu ynë i tolerancës ndaj dhimbjes gjatë lindjes.
Megjithëse lindjet pa dhimbje janë të mundshme, opsioni më real është që ju të përjetoni një nivel dhimbjeje dhe ndjesi të pakëndshme gjatë lindjes. Gjithsej 58 gra shtatzëna kanë marrë pjesë në një studim të kryer në Universitetin e Pitsburgut në SHBA dhe në bazë të rezultateve të tyre është treguar se gratë me sy të kaltër ose të gjelbër, e përballojnë dhimbjen më lehtë.
Ndryshe nga ato, gratë shtatzëna me sy me ngjyrë më të errët ndienin lehtësim shumë më të madh kur iu nënshtruan anestezisë epidurale, gjë që, sipas shkencëtarëve që drejtuan hulumtimin, konfirmon se pragu i tyre i tolerancës ndaj dhimbjes është më i ulët. Po kështu, hulumtimet tregojnë se nënat me sy të kaltër vuajnë më pak nga ankthi dhe depresioni pas lindjes sesa nënat me sy me ngjyrë më të errët. Megjithëse nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar shkaqet pas këtyre të dhënave, supozohet se gjenetika mund të përfshihet.
Ndërkaq, a keni dëgjuar ndonjëherë njerëz që thonë se valët elektromagnetike të furrës me mikrovalë mund të dëmtojnë foshnjën e palindur? Në shumicën e familjeve moderne furrat me mikrovalë përdoren për të ngrohur ushqimin ose për pjekje, por edhe një ekspozim i vogël ndaj valëve elektromagnetike mund të ndikojë tek foshnja e palindur, nëse mikrovala ka ndonjë çarje të vogël. Fatkeqësisht, rrezatimi është i padukshëm, gjë që e bën të pamundur shikimin dhe kuptimin e efekteve.