Eksodi i ambasadave, 34 vjet më parë ra “muri shqiptar i Berlinit”!

vovalbania July 02, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Eksodi i ambasadave, 34 vjet më parë ra “muri shqiptar i Berlinit”!

2 korrik 1990. Plot 34 vjet më parë u rrëzua “muri shqiptar i Berlinit”. Mijëra shqiptarë mposhtën frikën e një diktature gjysmëshekullore dhe mësynë ambasadat e huaja e me këtë hap shënuan kthesën e madhe të Shqipërisë.

Ai që u quajt eksodi i madh i shqiptarëve, i dha goditjen e fundit regjimit të Byrosë Politike në Shqipëri, duke i hapur kombit portën e lirisë dhe të demokracisë.

Kalimi mbi mure të përfaqësive diplomatike në Tiranë, me thirrjet: “ Liri – Demokraci!”, ishte goditja më e rëndë që regjimi kishte marrë deri atëherë. Tashmë qytetarët shqiptarë kishin rrëzuar “murin” e regjimit që i ndante me botën e lirë, për t’iu bashkuar asaj përgjithmonë.

Ngjarja e 2 korrikut i zuri në befasi institucionet e regjimit të asaj kohe. Në tërësi, numri i të larguarve të 2 korrikut, sipas DPA-së llogaritet të ketë qenë 4 mijë e 764 persona.

Ata mijëra vetë që guxuan të hynin në ambasadat e huaja në Tiranë, shënuan fillimin e ndryshimit politik në Shqipërinë komuniste. Atëherë nuk e dinin se me atë veprim, shenjuan edhe kthesën e madhe të vendit.

Një protagonist i atyre ngjarjeve, ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Werner Daum, njeriu që u hapi derën dhe i ndihmoi shqiptarët që hynë në ambasadën që drejtonte, në një aktivitet të disa viteve më parë në Bonn do të ndante momente të panjohura për publikun. Daum ishte ndër të parët që besonte se regjimi komunist shqiptar po shkonte drejt fundit, përkundër vlerësimeve të shërbimeve sekrete të huaja, qëndrimit të BE-së e NATO-s, madje edhe qeverisë së atëhershme gjermane, që i jepte një jetë të gjatë regjimit komunist. Kjo për shkak se Shqipëria nuk kishte ura lidhëse me vendet e tjera lindore, nuk ishte prekur nga zhvillimet reformuese.

Për shërbimet e huaja, dukej se shteti shqiptar do të mbetej kalaja e socializmit në Adriatik e do të ishte një Kubë në Ballkan. Diplomati citonte Martin Camajn, të cilit i referohej si “shqiptari i madh që e bëri të kuptonte se çfarë regjimi represiv ishte ai komunist”. Dhe besimi se shqiptarët do ta thyenin murin e izolimit nuk u zhgënjye më 2 korrik të vitit 1990.

Studiues vendas e të huaj bashkohen në pikën se ajo datë ishte moment shumë i rëndësishëm i një procesi që zgjati deri në dhjetor 1990, kur filluan demonstratat e studentëve që shënuan dhe ardhjen e pluralizmit në Shqipëri.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64374 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE