Beleri kërkoi të shprehet, KQZ-ja shtyn për nesër seancën mbi vlefshmërinë e mandatit!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ u mblodh ditën e sotme për të shqyrtuar vlefshmërinë e mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, Dhionisios (Alfred) Beleri. Nëpërmjet avokates së tij, Klodiana Gjyzari, Beleri kërkoi që të marrë pjesë në këtë procedurë e të flasë. Në seancë, avokatja e Belerit kërkoi që ai vetë duhej të ishte i pranishëm ndërsa Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se ende nuk ka përfunduar procesi administrativ.
Subjekti ka dijeni për fillimin e kësaj procedure administrative. Pyetja që kam unë, e përfaqësoni apo jo Belerin? Nëse jeni ju që e përfaqësoni, keni tagrin të flisni!
Përfaqësuesja e Belerit vuri në dukje se:
Nga dje e deri sot, afati ka qenë shumë i shkurtër për Belerin. Kam tagër për ta përfaqësuar, por jo për të thënë fjalën e tij të fundit. Afati i dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ është shumë i shkurtër, për t’i dhënë mundësi subjektit që të njihet me procesin. Sot duhet të paraqiteshim para KQZ-së.
Kryekomisioneri Celibashi vendosi që ta shtyjë seancën për nesër në orën 10:30, për të parë si do të mundësohet fjala e Belerit, nëpërmjet plaftormave online apo fizikisht.
Në seancën e sotme, Komisioneri shqyrtoi edhe rezultatin e verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues Gentjan Fiqiri Muça, anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Demokratike e Shqipërisë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023. KSHZ-ja konstatoi se Muça nuk është në kushtet e ndalimit të kandidimit/moszgjedhshmërisë.
Gjithashtu, u plotësua vakanca në Këshillin e Bashkisë Vau-Dejës, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, Sanilje Reshit Salja.
Ndër të tjera, u miratuan disa ndryshime në udhëzimin nr.14, datë 9 qershor 202 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për caktimin e kritereve, procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar (audituesve ligjorë) e kushtet kontraktuale për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik dhe subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre në fushatën zgjedhore”, i ndryshuar”.