Hezbollahu hedh mbi 200 raketa në Izrael, pasi iu vra një komandant i lartë!

vovalbania July 04, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Hezbollahu hedh mbi 200 raketa në Izrael, pasi iu vra një komandant i lartë!

Grupi libanez Hezbollah thotë se ka hedhur mbi 200 raketa në drejtim të disa bazave ushtarake në Izrael, si përgjigje për një sulm ajror izraelit që i mori jetën njërit prej komandantëve të lartë të grupit. Sulmi i militantëve të mbështetur nga Irani, sot ishte ndër më të mëdhenjtë në konfliktin disamujor përgjatë kufirit mes Libanit dhe Izraelit.

Ushtria izraelite tha se “predha të shumta dhe objektiva të dyshimta ajrore” u futën në territorin e Izraelit nga Libani e shumica prej tyre u parandaluan. Nuk u raportua për viktima. Rreth 160 “predha” u shkrepën në drejtim të Lartësive të pushtuara të Golanit dhe rreth 15 dronë u hodhën brenda territorit izraelit, disa prej të cilëve u parandaluan, siç tha ushtria izraelite.

Dje, Izraeli e pranoi se vrau Mohammad Naamhe Nasserin, udhëheqës i njërit prej tri divizioneve rajonale të Hezbollahut në jug të Libanit. Pak orë pas vrasjes së tij, Hezbollahu hodhi raketa të shumta të llojeve, Katyusha e Falaq, në veri të Izraelit, si dhe në Lartësitë e pushtuara të Golanit. Ky grup, sot hodhi edhe më shumë raketa e tha se lëshoi edhe dronë kamikazë në drejtim të disa bazave.

Nasseri ishte shumë i rëndësishëm për Hezbollahun, pasi mori pjesë në beteja të kaluara në konfliktet në Siri dhe Irak nga 2011-ta deri në vitin 2016, si dhe luftoi në luftën e fundit të grupit kundër Izraelit më 2006-ën.

Hezbollahu nisi sulme raketore në veri të Izraelit, një ditë pasi Hamasi e kreu një sulm befasues në jug të shtetit hebraik më 7 tetor 2023, duke nxitur luftime të kufizuara përgjatë kufirit të tensionuar. Por, prej asaj kohe, sulmet janë përshkallëzuar gradualisht, me Hezbollahun që vuri në përdorin armë të reja për të kryer sulme dhe me Izraelin që goditi më thellë Libanit.

Hezbollahu ngul këmbë se nuk do t’i ndalë sulmet derisa të arrihet marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës. Zyrtarët izraelitë kanë kërcënuar se do të kryejnë operacion më të madh ushtarak, nëse Hezbollahu nuk i ndal sulmet.

Mbi 450 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Liban prej tetorit, shumica e tyre luftëtarë të Hezbollahut, por aty përfshihen edhe më shumë se 80 civilë e joluftëtarë. Nga pala izraelite, 16 ushtarë dhe 11 civilë u vranë që kur nisi lufta në Gaza. Me mijëra njerëz, nga të dy anët e kufirit të tensionuar janë shpërngulur si pasojë e luftimeve. Më 2006-ën, Izraeli dhe Hezbollahu zhvilluan luftë disamujore, por që nuk u mbyll me fitues.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE