“Euro 2024”, sytë për nga gjysmëfinalja e 9 korrikut Spanjë-Francë!

vovalbania July 06, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Euro 2024”, sytë për nga gjysmëfinalja e 9 korrikut Spanjë-Francë!

Franca, dy herë kampione e Europës është në gjysmëfinalen e “Euro 2024”-ës, pasi në një ndeshje që zgjati deri rreth mesnate, mposhti Portugalinë 5-2 me penallti pas barazimit pa gola, në Hamburg. Joao Félix humbi goditjen e vetme nga pika dhe hapi rrugën për fitoren e Francës, e cila u kompletua me golin e Lucas François Bernard Hernández.

Portugalia pati shanset më të mira për të marrë fitoren gjatë kohës së rregullt, duke e detyruar portierin Mike Maignan në dy pritje të mëdha për të mohuar Bruno Fernandes në minutën e 61-të dhe më pas Vitinha në të 63-tën.

Këtë herë, megjithatë, fituesit e “Euro 2016”-ës nuk ishin dhe aq me fat e i thanë lamtumirë garës, ndërsa super ylli Cristiano Ronaldo nuk arriti të shënonte e të bëhej golashënuesi më i moshuar në historinë e turneut.

Ronaldo ishte i suksesshëm në penallti kundër Sllovenisë, por këto gola nuk janë pjesë e statistikave zyrtare.

Më herët ishte Spanja që po dje u kualifikua në gjysmëfinalet e “Euro 2024”-ës duke mundur vendin pritës, Gjermaninë me rezultatin 2-1, pas kohës shtesë, në Shtutgart.

Dani Olmo shënoi në minutën e 51-të për Spanjën dhe gjermani Florian Wirtz barazoi në minutat e fundit të kohës së rregullt (89′) përpara se Mikel Merino të kualifikonte skuadrën e tij me një goditje me kokë (119′).

“La Furia Roja” apo Furia e Kuqe do të takohet në gjysmëfinale, të martën e ardhshme në Mynih, me Francën.

Pas ndeshjes me Gjermaninë, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, u shpreh shumë i kënaqur, teksa gjatë deklaratës së tij tha:

Ta vlerësojmë këtë arritje dhe të shijojmë momentin. Do ta shohim si do të rikuperohemi fizikisht për gjysmëfinalen. Jam i bindur që të gjithë lojtarët do të jenë gati. Drejtoj një skuadër të jashtëzakonshme. Për mua është krenari që drejtoj lojtarë të tillë. I njoh prej vitesh shumë prej tyre. Ata janë mësuar të luajnë në nivele të larta dhe janë gati ta fitojnë Europianin.

Sigurisht, ka vend për përmirësim. Por nuk mund të dyshojmë për asnjë moment për krenarinë, cilësitë dhe përkushtimin e lojtarëve.

Trajneri 63-vjeçar i iberikëve përfundoi duke theksuar se fitorja ndaj Gjermanisë do të futet në histori.

Ishte një mbrëmje historike. Jam krenar që përfaqësoj vendin tim. Sa larg do të shkojmë, kjo mbetet për t’u parë, por jam plotësisht i bindur që mund të shkojmë deri në fund dhe të fitojmë trofeun.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64321 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE