Rezultat zgjedhor surprizë, e majta mund të djathën ekstreme në Francë!

vovalbania July 08, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rezultat zgjedhor surprizë, e majta mund të djathën ekstreme në Francë!

Franca shmang një qeveri të ekstremit të djathtë e në një kthesë plotësisht befasuese, një aleancë e majtë fitoi numrin më të madh të vendeve në parlament në balotazhin e djeshëm që përmbysi të djathtën ekstreme duke i hequr nga duart fitoren e raundit të parë dhe zbriti në vend të tretë pas partisë së presidentit Macron. Zgjedhjet parlamentare e shmangën të djathtën ekstreme, por e kanë futur Francën në paqartësi politike: asnjë prej forcave, nuk ka shumicën absolute, çka bllokon parlamentin.

Fronti i Ri Popullor i krahut të majtë fitoi 182 vende, ndërsa partia e presidentit Emmanuel Macron, 163 dhe duket se do të jetë shigjeta që balancon peshoren. Balotazhi me pjesëmarrje rekord, stopoi ekstremin e djathtë, që mori epërsi drejtuese në raundin e parë. Tani ra në vendin e tretë për shkak të votimit taktik, duke siguruar vetëm 143 deputetë. Në pamundësi për të thirrur zgjedhje të reja për të paktën një vit dhe me tre vjet të mbetur nga mandati, Macron duket i vendosur të kryesojë me një parlament kaotik, ndërsa problemet rriten si brenda, ashtu edhe jashtë Francës.

Udhëheqësi kryesor i koalicionit të majtë, Jean-Luc Mélenchon, i kërkoi presidentit Macron të ftojë koalicionin e Frontit të Ri Popullor për të formuar qeverinë.

Aleanca është gati të qeverisë.

Një shtyllë e Bashkimit Europian dhe ekonomia e dytë më e madhe në Europë, Franca zhytet në pasiguri e paqartësi intensive se kush mund të jetë partner me presidentin Emmanuel Macron në detyrën e kryeministrit. Rezultatet pritet të ndikojnë tek lufta në Ukrainë, diplomacia globale dhe qëndrueshmëria ekonomike e Europës.

Kryeministri francez Gabriel Attal, tha se do të jap dorëheqje, por do të qëndrojë përkohësisht në detyrë gjatë Lojërave Olimpike ose për aq kohë sa nevojitet, duke pasur parasysh se mund të ketë javë negociatash për të zgjedhur një kryeministër të ri.

Në një deklaratë nga zyra e tij, presidenti Macron tha nuk do të nxitohej për të ftuar një kryeministër të mundshëm për të formuar qeverinë. Ai deklaroi se do presë rezultatet dhe Asambleja e re Kombëtare të marrë formë, përpara se të sjellë “vendimet e nevojshme”, duke respektuar “zgjedhjen sovrane të francezëve”.

Ndryshe nga vendet e tjera në Europë që janë mësuar më shumë me qeveritë e koalicionit, Franca nuk ka traditë që ligjvënësit nga kampet rivale politike të bashkohen për të formuar një shumicë. Presidenti Macron habiti vendin dhe shumë në qeverinë e tij, duke shpërndarë dhomën e ulët të parlamentit, Asamblenë Kombëtare, pas një rritje të së djathtës ekstreme në votimet për zgjedhjet europiane. Ai argumentoi se nxjerrja e votuesve në qendrat e votimit do t’i siguronte Francës “qartësi”.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 63941 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE