“Copernicus”: Muaji i kaluar, më i ngrohtë se çdo qershor tjetër!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![“Copernicus”: Muaji i kaluar, më i ngrohtë se çdo qershor tjetër!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2024/07//copernicus-muaji-i-kaluar-me-i-ngrohte-se-cdo-qershor-tjeter.jpg)
Muaji i kaluar ishte më i ngrohtë se çdo qershor tjetër, duke shënuar muajin e 13-të radhazi në të cilin temperatura mesatare globale arriti një rekord të lartë për muajin respektiv, siç dhe deklaroi Shërbimi Europian i Ndryshimeve Klimatike “Copernicus”.
Temperaturat e muajit qershor ishin gjithashtu 1,5 gradë Celcius mbi nivelet paraindustriale, duke shënuar muajin e 12-të radhazi në të cilin u arrit ose dhe u tejkalua pragu i 1,5 gradëve Celcius, referuar raportit mujor.
Në Konferencën e Klimës në Paris të vitit 2015, komuniteti global vendosi një objektiv për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë mbi nivelet paraindustriale. Sipas të dhënave të “Copernicus”-it, në periudhën midis korrikut të vitit të kaluar dhe qershorit të këtij viti, temperatura globale ishte 1,64 gradë më e lartë se mesatarja paraindustriale.
Edhe pse shkencëtarët e Bashkimit Europian për Klimën pranuan se një varg 13-mujor i temperaturave rekord ishte “i pazakontë”, ata vunë në dukje një varg të ngjashëm të rekordeve mujore të temperaturës globale në vitet 2015 e 2016.
Sipas raportit, temperatura mesatare e ajrit sipërfaqësor për muajin e kaluar ishte 16,66 gradë apo 0,67 gradë mbi nivelin mesatar të regjistruar për muajin midis viteve 1991 e 2020, si dhe 0,14 gradë mbi rekordin e mëparshëm të vendosur në qershor 2023.
Sa i përket vendit tonë, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se këtë javë, Shqipëria do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike si rezultat i depërtimit të masave ajrore të nxehta me origjinë jugore, si dhe depërtimit të aktivitetit të Anticiklonit Afrikan. Në këtë mënyrë, moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin e me vranësira të pakta deri mesatare kalimtare në relievet malore në orët e mesditës.
Përjashtim bën dita e martë kur fillimisht moti nis i kthjellët e do të vijojë me vranësira në shtim nga orët e mesditës e pasdite, kryesisht në jug të territorit. Vranësirat priten të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët (pika) e lokal në qendër ndërsa në juglindje, sidomos në relievet malore priten reshje shiu me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurtra, shoqëruar hera-herës me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.
Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i perëndimi dhe me shpejtësi mesatare 2-8 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore, në momentin e zhvillimit të vranësirave, era fiton shpejtësi deri në 10-13 m/sek, valëzimi në dete 1-3 ballë.