VIDEO: Biden e prezanton si “President Putin”, ja reagimi i Zelensky-t!

vovalbania July 12, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
VIDEO: Biden e prezanton si “President Putin”, ja reagimi i Zelensky-t!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka vijuar të enjten serinë e gafave të tij në fjalimet publike. E radhës erdhi në ditën e fundit samitit të NATO-s, mbajtur në Washington ku gjatë ligjëratës së tij, teksa po e ftonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në podium, Biden i drejtohet atij si “President Putin”.

“Tani dua t’i jap fjalën Presidentit të Ukrainës, i cili ka aq guxim sa vendosmëri. Zonja dhe zotërinj, President Putin”, tha Biden.

Në sallë u dëgjuan zëra nga njerëz të ndryshëm, përfshirë dhe diplomatë e liderë botërorë nga e gjithë bota që thirrën, “Zelensky!” për të korrigjuar Biden. Më pas Biden u kthye te mikrofoni dhe tërhoqi gabimin duke thënë:

“Ne do ta mposhtim Presidentin Putin. President Zelensky. Unë isha shumë i fokusuar në mposhtjen e Putinit.”

Pas kësaj dëgjohet Zelensky i cili si për të kaluar me sportivitet këtë situatë të sikletshme thotë: “Unë jam më i mirë”.

SHBA-ja në fillim të majit i tha Kievit dritën jeshile që të përdorë armët amerikane për të sulmuar territorin rus, në zonën kufitare, në mënyrë që t’i ndihmojë Ukrainës të zmbrapsë një ofensivë të madhe ruse pranë Harkivit.

Biden gjatë një takimi me Zelenskyn më herët gjatë 11 korrikut, njoftoi për ndihmë të re për Ukrainës.

SHBA-ja më pas njoftoi se do t’i dërgonte Ukrainës pajisje ushtarake në vlerë prej 225 milionë dollarësh, në paketën e tetë të ndihmës që nga miratimi i paketës prej 61 miliardë dollarësh në prill. Në paketën e re të ndihmës përfshihen bateri raketore për sistemin Patriot, sisteme kundërajrore, municione dhe raketa.

Gjatë konferencës për media pas përfundimit të samitit të NATO-s, Biden e paraqiti veten si mbrojtës të aleancës, teksa e portretizoi Trumpin si rrezik.

Presidenti amerikan akuzoi Donald Trumpin – i cili gjatë presidencës së tij nga viti 2017 deri më 2021 shpesh kishte kritikuar aleatët e NATO-s dhe kishte sugjeruar se mund ta largojë Uashingtonin nga aleanca – se nuk ka “përkushtim ndaj NATO-s”.

“Ai e ka bërë të qartë se nuk do të ndihej i obliguar që ta respektonte Nenin 5”, tha Biden për Trumpin, duke iu referuar paktit të NATO-s që kërkon përgjigjen e aleancës në rast se ndonjë shtet anëtar do të sulmohej.

Biden po ashtu pretendoi se gjatë samitit të NATO-s liderë të tjerë i kishin thënë atij se edhe një presidencë Trump do të ishte “katastrofë”.

“Nuk kam dëgjuar asnjë aleatë evropianë të më thotë ‘Joe, mos garo’”, tha Biden për gazetarët. “Ajo çfarë kam dëgjuar të më thonë është ‘Duhet të fitosh. S’mund ta lësh atë [Trumpin] të fitojë, ai do të ishte një katastrofë”.

Pas gafës së Bidenit, kur e prezantoi presidentin Zelensky si “presidenti Putin” – dhe menjëherë përmirësoi gabimin – disa liderë i dolën në mbrojtje.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Biden ishte në krye të detyrës gjatë samitit dyditor, ndërkaq kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se gabime të tilla ndodhin.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 63941 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE