Lufta ruse në Ukrainë, mbi 40 mijë të zhdukur!

vovalbania July 17, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lufta ruse në Ukrainë, mbi 40 mijë të zhdukur!

Në rreth dy vjet e gjysmë të luftës pushtuese ruse në Ukrainë, rreth 42 mijë persona rezultojnë të zhdukur. Shifra u bë e ditur sot nga një zyrtar i Ministrisë së Brendshme në Kiev. Dmytro Bohatiuk, i cili drejton Departamentin e Personave të Zhdukur pranë këtij dikasteri, saktësoi se ky numër përfshin ushtarë dhe civilë.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Mijëra njerëz janë vrarë në sulme, ndërsa miliona u detyruan të zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Rreth një e pesta e Ukrainës është  pushtuar nga Rusia.

Bohatiuk deklaroi se llogariteshin mbi 51 mijë të zhdukur, por se në këtë shifër u llogaritën dhe mijëra të burgosur të luftës. Ndërkaq, vuri në dukje se një tjetër sfidë për vendin është identifikimi i të vrarëve në fushëbetejë. Ai bëri të ditur se Ministria e Mbrojtjes nuk merr mostra gjenetike të ushtarëve që dërgon në terren për të luftuar.

Në një tjetër zhvillim, operatori rus i energjisë bërthamore, Rosenergoatom, tha se ka mbyllur një njësi të termocentralit bërthamor të Rostovit, për shkak të një “alarmi të rremë”. Për pasojë, rreth 1 milion njerëz në Rusinë jugore dhe në pjesë të Krimesë së pushtuar mbetën pa energji elektrike.

Kompania nuk e specifikoi se çfarë ishte që shkaktoi aktivizimin e mekanizmit mbrojtës. Por, në një deklaratë të publikuar në Telegram, Rosenergoatom tha se Njësia N1 u mbyll dje, “për shkak të një alarmi të rremë”. Rosenergoatom nuk ofroi detaje të mëtejshme lidhur me shkaqet e “alarmit të rremë”.

Termocentrali bërthamor i Rostovit, i njohur po ashtu si termocentrali bërthamor i Volgodonskut, ka katër njësi me një kapacitet total prej më shumë se 4 mijë megavatësh. Ai gjendet në bregun e majtë të lumit Don, pranë qytetit Volgodonsk, rreth 1 mijë e 100 kilometra në jug të Moskës.

Muajt e fundit, Ukraina, infrastruktura energjetike e së cilës është goditur vazhdimisht nga ushtria ruse, që nga koha kur Moska nisi pushtimin e vendit fqinj në shkurt të vitit 2022, siç dihet ka shënjestruar objektet ruse të energjisë, kryesisht rafineritë e naftës dhe ato që punojnë për ushtrinë e Rusisë.

Nga ana tjetër, në Krime, autoritetet pushtuese thanë se ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike në rajon, janë pasojë e valës së të nxehtit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64275 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE