“Unë do t’i jap fund luftës…”, Trump bisedë telefonike me Zelenskyn!

vovalbania July 20, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Unë do t’i jap fund luftës…”, Trump bisedë telefonike me Zelenskyn!

Për të parën herë që nga koha kur Donald Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë, ish-Presidenti amerikan ka pasur një telefonatë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Presidenti i Ukrainës dhe unë patëm një telefonatë shumë të mirë sot. Ai më përgëzoi për një Konventë Kombëtare Republikane shumë të suksesshme dhe për kandidaturën time si Republikan për President të Shteteve të Bashkuara. Ai dënoi atentatin e tmerrshëm të shtunën e kaluar dhe vuri në dukje se populli amerikan u bashkua në frymën e Unitetit gjatë këtyre kohërave”, tha Trump në një postim në Truth Social.

Biseda mes tyre përmes telefonit vjen një ditë pasi Trump pranoi zyrtarisht nominimin e Partisë Republikane për president, por edhe pas shqetësimeve të shtuara në Evropë për politikën që ish-Presidenti do të ndjek në raport me luftën Rusi-Ukrainë, pasi të vijë në pushtet në nëntor.

Pikërisht për këto zëra, Trump në postimin e tij ku njoftonte telefonatën tha se do të jetë ai që do t’i japë fund konfliktit të armatosur në zemër të Europës.

“Unë e vlerësoj Presidentin Zelensky për kontaktin sepse unë, si Presidenti juaj i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, do të sjell paqe në botë dhe do t’i jap fund luftës që ka kushtuar kaq shumë jetë dhe ka shkatërruar familje të panumërta të pafajshme. Të dyja palët do të jenë në gjendje të bashkohen dhe të negociojnë një marrëveshje që i jep fund dhunës dhe hap një rrugë përpara drejt prosperitetit”, shprehet Trump.

Edhe vetë Zelensky reagoi pas telefonatës me Trump me anë të një postimi në platformën ‘X’, ku tha se ai përgëzoi ish-presidentin amerikan për kandidaimin dhe dënoi atentatin tronditës në Pensilvani.

“I urova forcë dhe siguri absolute në të ardhmen. Kam vënë në dukje mbështetjen jetike dypartiake dhe dydhomëshe amerikane për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së kombit tonë. Ne ramë dakord me Presidentin Trump për të diskutuar në një takim personal se cilat hapa mund ta bëjnë paqen të drejtë dhe vërtet të qëndrueshme”, shprehet lideri i Kievit.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, Trump ka thënë vazhdimisht se mund ta zgjidhte luftën brenda një dite, por mbetet e paqartë se si do të arrijë ai të bindë Zelenskin dhe Putin për një marrëveshje që i jep fund konfliktit.

Në debatin presidencial muajin e kaluar, Trump tha se kushtet e Putinit për një marrëveshje, e cila do të përfshinte aneksimin e 4 rajoneve të pushtuara nga Rusia janë “të papranueshme”, por ish-presidenti dhe aleatët e tij kanë kritikuar gjithashtu dërgimin e ndihmës ushtarake të SHBA në Kiev.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE