BE hoqi vizat për serbët e Kosovës, qeveria e Kurtit: Të zhgënjyer!

vovalbania July 22, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
BE hoqi vizat për serbët e Kosovës, qeveria e Kurtit: Të zhgënjyer!

Qeveria e Kosovës është shprehur e zhgënjyer pas vendimit që ka marrë Bashkimi Evropian në lidhje me heqjen e vizave për serbët që jetojnë në Kosovë.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, tha se janë të zhgënjyer me vendimin e marrë nga BE-ja dhe se pasaporta e serbëve e lëshuar nga Serbia vazhdon të mbetet ilegale.

“Shprehim zhgënjimin tonë me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian në lidhje me ‘liberalizimin e vizave’ për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe, për qytetarët serb të Kosovës. Cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës. Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, u shpreh ai.

Më tej Kadiu tha se “secili qytetar i vendit, nga secili komunitet ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Republikës së Kosovës”.

“Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në mospërputhje me realitetin. Po ashtu, e pashpjegueshme është dhe ngutja e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet që munden dhe do të përcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Kadiu tha se vendimi i marrë sot dëmton përpjekjet e vazhdueshme për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Republika e Kosovës po zbaton politika në fusha të ndryshme, të cilat po i sjellin qytetarët më pranë institucioneve, e gjersa dhe me liberalizimin e vizave për Kosovën, pati rritje të ndjeshme e të prekshme të qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u pajisën dhe po pajisen me dokumentat e Republikës sonë”, tha mes të tjerash ai.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE