Lojërat Olimpike, Parisi i blinduar nga masat e sigurisë!
Pritet që ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit të jetë madhështore sot, por përbën edhe sfidë të madhe në aspektin e sigurisë. Rreth 2.000 pjesëtarë të forcave të sigurisë e 45.000 policë janë shpërndarë për të garantuar sigurinë e ceremonisë, përfshirë specialet që ndërhyjnë në situata alarmante. Snajperat qëndrojnë në çatitë e ndërtesave dhe u aktivizua sistemi anti-dron.
Spektatorët dhe banorët e Parisit duhet të kenë leje të posaçme dhe kodin QR për të hyrë në afërsi të zonës ku do të mbahet ceremonia. Qarkullimi i makinave ndalohet, përveç disa përjashtimeve të vogla. Stacionet e afërta në metro do të jenë të mbyllura, sikurse dhe kalimi në disa ura.
Avionët nuk do të mund të fluturojnë mbi Paris me përjashtim të atyre që do të jenë pjesë e ceremonisë. Luftërat në Gaza e Ukrainë, si dhe shqetësimet për sigurinë e brendshme e kanë bërë Francën që të ngrejë alarmin në nivelin më të lartë sa i përket aspektit të sigurisë.
Zyrtarët kanë thënë se nuk ekziston ndonjë kërcënim specifik për terrorizëm. Por, i vetmi kërcënim potencial mund të jetë prej ndonjë atentatori që mund të veprojë i vetëm ose edhe prej ndonjë proteste që mund të mbajnë aktivistë për mjedisin, ata të së djathtës ekstreme, të së majtës ekstreme ose edhe lëvizjet pro-palestineze.
Një person u arrestua në muajin maj në qytetin francez Saint-Etienne, i dyshuar për planifikim të një sulmi në emër të grupit ekstremist, Shteti Islamik, në një stadium futbolli, për në kohën e mbajtjes së Olimpiadës.
Po ashtu, një simpatizant i krahut të djathtë u arrestua në lindje të Francës më herët këtë muaj pas dyshimeve se ka komplotuar për sulme në kohën e zhvillimit të Lojërave Olimpike të Parisit e që janë në edicionin e 33-të.
Ceremonitë e mëparshme të hapjes së Lojërave Olimpike verore
Tokio 2020: Ceremonia e hapjes ra në hije nga pandemia. Ndonëse u shty me një vit, për shkak të rrezikut nga koronavirusi, Lojërat u zhvilluan kryesisht pa spektatorë.
Rio 2016: Brazili, i ndrydhur financiarisht atë kohë, nuk ka pasur shumë zgjidhje përveç organizimit të një ceremonie modeste dhe të varur shumë prej traditave të karnavaleve, që mbahen atje rregullisht.
Londra 2012: Mbretëresha Elizabetë u pa në helikopter, bashkë me aktorin Daniel Craig, të njohur për rolin e tij të James Bondit. Me të udhëtoi rreth Pallatit Buckingham, duke e shtuar madhështinë e gjithë organizimit.
Pekini 2008: Rreth një miliard njerëz apo 15% e popullsisë së botës ndoqën ceremoninë e hapjes ku u përfshinë 10.000 performues, 2.008 bateristë e një finale dramatike me “ecjen” e performuesve në qiell.