Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, miratohet renditja e subjekteve!
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi sot rezultatin e shortit për përcaktimin e renditjes së kandidatëve për Kryetar Bashkie në fletën e votimit, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë.
Pas regjistrimit nga Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ), nr. 88, të kandidatëve të propozuar nga subjektet zgjedhore Partia Socialiste e Shqipërisë dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”, në seancën e sotme publike u hodh shorti për renditjen në fletën e votimit.
Rezultatet e shortit përcaktuan se numri 1 në fletën e votimit do të jetë kandidati i propozuar nga PS, Vangjel Tavo dhe numri 2 do të jetë kandidati i propozuar nga koalicioni “BF”, Petraq Gjikuria.
Gjithashtu, Komisioneri vendosi caktimin e vendndodhjes së një qendre votimi në ndërtesë private, sipas propozimit të Bashkisë Himarë.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dje shqyrtoi kërkesën e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, që do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024.
Komisioneri vendosi regjistrimin e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” përfaqësuar nga Sali Berisha dhe do të ketë në përbërje 10 subjekte zgjedhore: Partia e Lirisë (PL); Partia Republikane (PR); Partia Demokristiane (PDK); Partia Balli Kombëtar (PBK); Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ); Fryma Re Demokratike (FRD); Partia Demokratike (PD); Partia Agrare Ambjentaliste (PAA); Partia Balli Kombëtar Demokrat (PBKD); Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar (PBD).
Në seancën e djeshme publike Komisioneri plotësoi edhe vakancat e krijuara në 3 këshillat bashkiakë:
Kështu kandidatja Alketa Bici nga lista shumemërore e Partisë Socialiste iu bashkua Këshillit të Bashkisë Gramsh.
Kandidati Zek Doda nga lista shumemërore Partisë së Gjelbër iu bashkua Këshillit të Bashkisë Lezhë.
Kandidati Qerem Çelpica nga lista shumemërore e Partisë Socialiste iu bashkua Këshillit të Bashkisë Kavajë.
Gjithashtu, caktoi vendndodhjen e disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Bashkie Himarë.