Kushtetuesja kërkon ndërhyrje të Kuvendit për testamentin, gjyqtarja Vojsava Kola shpjegon gjithçka!
Në episodin e dhjetë të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” është trajtuar tema e lënies së testamentit, problemet që hasen dhe trajtohet gjithashtu efekti i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që urdhëron Kuvendin të ndërhyjë në Kodin Civil sa i përket rrethit të përfituesve të testmentit, kur një testator lë testamentin.
Por për ta shpjeguar më mirë se çfarë ndodh mbas këtij vendimi të Kushtetueses dhe cilat ishin problemet me testamentet në gjykata së bashku me gjyqtaren e lartë Vojsava Kola.
Pjesë nga intervista:
Vojsava Kola (Osmanaj) -Anëtare e Gjykatës së Lartë
Anila Hoxha: E para, ku konsiston vendimi i Gjykatës Kushtetuese që mori shkas nga një vendim i Gjykatës së Lartë për testamentin?
Vojsava Kola: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2023, në fakt u inicua me kontroll incidental nga dy gjykata. Pretendimet që ngriti shtetasja në çështjen në fjalë ishte që vërtet që ky nen mbron një kategori personash, pra e kufizon të drejtën testatorit për të lënë pasurinë duke mos përjashtuar të paralindurit, të paslindurit dhe vëllezërit dhe motrat. Dhe neni 377 parashikon dhe sanksionon se “nëse një trashëgimlënës nuk ka të paralindur, të paslindur, vëllezër dhe motra, ai mund t’a lërë pasurinë me testament kujtdo”. Pra, në pamje të parë nëse e shikon këtë nen, ti e kupton që bashkëshorti nuk është përmendur. Në fakt, ky është një vendim shumë i veçantë i Gjykatës Kushtetuese, se konstatoi antikushtetueshmërinë, por në fakt të boshllëkut ligjor. Pra, ti nuk mund t’a kufizosh një individ i cili gjatë gjithë jetës së tij ka të drejtën e plotë për t’a disponuar pasurinë, për t’a dhuruar, për të disponuar në mënyrë të tjera dhe për t’a shitur etj. Nuk ka asnjë kufizim. Ndërkohë, që me testament ti i vendos kufizim dhe pika 2 që Gjykata Kushtetuese e konstatoi lidhur me bashkëshortin apo me bashkëjetuesin. Pra, sipas Gjykatës Kushtetuese aty nuk ka garanci për këtë trashëgimtar, i cili në fakt është i radhës së parë. Pra, bashkëshorti është në radhën e parë të trashëgimisë ligjore.
Anila Hoxha: Po flasim për bashkëshortin edhe kur është prindi i fëmijëve të testatorit?
Vojsava Kola: Por, nuk përmendet as bashkëshorti në fakt. Edhe bashkëjetuesi sigurisht që nuk përmendet.
Anila Hoxha: Bashkëshorti, në ligjin që u shfuqizua kishte të njëjtin mungesë garancie?
Vojsava Kola: Po, kishin mungesë garancie dhe ka një gjë. Se nuk është se u shfuqizua në fakt ky nen. U konstatua si antikushtetues. Gjykata kushtetuese i la edhe një afat parlamentit, një afat 1-vjecar për të plotësuar boshllëkun ligjor. Nëse lexon të gjithë vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka marrë edhe modele të legjislacioneve të tjera.
Anila Hoxha: Ligji në Shqipëri është i kësaj natyre, që i lë të drejtë testatorit t’a lër trashëgiminë e tij vetëm brenda trungut familjar. Ku nuk përmendet as bashkëjetuesi.
Vojsava Kola: Po, në fakt vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte për bashkëjetuesin. Gjykata Kushtetuese konstatoi dhe i citoi problemet në dy aspekte. E para, kufizimi i të drejtës për të disponuar pasurinë duke dhënë edhe modele të ndryshme që legjislatori duhet t’i ketë në konsideratë, pra në kuptimin që vërtetë ne jemi një shoqëri tradicionale, pra kemi konceptin e familjes. Historikisht ka patur një rëndësi shumë të madhe në vendin tonë, por ndryshimet e ndryshme të shoqërisë dhe zhvillimet e saj sigurisht e panë që familja dhe koncepti i familjes nuk mbetet tek tradicionali. Pra, familja nuk dmth. që është vetëm nëna, babai apo vëllëzërit dhe motrat apo edhe fëmijët. Pra, familja mund të jetë edhe bashkëjetuesi, mund të jetë edhe ai person që ti po ndan gjithë jetën dhe sigurisht që kërkon një garanci ligjore dhe nga ana tjetër u pa në drejtim të bashkëjetuesit apo edhe të bashkëshortit. Në rast se shikojmë nenin nuk i është dhënë garanci, pra nuk është se ka garanci. Dhe kjo lidhet edhe me trashëgiminë ligjore. Tek trashëgëmia ligjore bashkëshorti nuk është se ka një pozicion shumë të favorshëm. Unë e thashë që në rast se një person nuk ka fëmijë dhe trashëgimtari i vetëm i radhës së parë është bashkëshorti, ai nuk e trashëgon të gjithë pasurinë, por kalon në radhën e dytë. Kalimi i pasurisë mbas vdekjes bëhet në dy mënyra. E para, kur ti ke shprehur një vullnet nëpërmjet testamentit, kjo quhet trashëgimia testamentare dhe kjo kufizohet nga neni 377 që ne thamë. Pra, duhet të zgjedhësh një trashëgimtar nga 3 radhët e para që t’ja lësh pasurisë me testament. Vetëm nëse nuk ke këto, atëherë mund t’ja lësh dikujt tjetër. Ndërkohë kur ti nuk ke lënë testament, ke ndërruar jetë, çelet dëshmia e trashëgimisë ligjore. Pra, është një mënyrë tjetër e kalimit dhe tek trashëgimia ligjore gjithmonë do të lihen në konsideratë rezerva ligjore, pra nuk mund t’a përjashtojë që do të thotë psh, unë këtë pasuri e lë me testament djalit të motrës apo djalit të vëllait kur në fakt ka nipër dhe mbesa. Pra, janë fëmijët të mitur që e trashëgojnë me zëvëndësim ose kur ka një person të paaftë për punë psh. mund të jetë prindi, i cili është invalid, ka qenë në ngarkimin e tij dhe është i paaftë për punë. Pra, në këtë mënyrë kufizohet. Pra, janë të lidhura të dyja.
Anila Hoxha: Me ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, preket ajo që e konsideruat tradicionalja, pra familja. Sa mund të guxojë ligjvënësi sipas jush për t’a hapur akoma më tej vullnetin e testatorit?
Vojsava Kola: Në Kodin e Familjes, bashkëjetesa ka një nen që e parashikon dhe thotë që mund të garantohet dhe përfiton të njëjtat të drejta gjatë martesës, por kjo duhet të jetë pak a shumë e provuar. Kërkon një akt, kërkon një dokument, pra është shumë e vështirë të provohet bashkëjetesa. Unë mendoj që është një vendim shumë i mirë, shumë i guximshëm, por do të dojë ndryshime jo vetëm në Kodin Civil, do të dojë ndryshime edhe në Kodin e Familjes. Nëse ti do t’a mbrosh bashkëjetuesin, disponimi me testament, pra të kufizosh këtë individ duke i thënë që ti do t’a mbrosh jo vetëm fëmijën, prindërit, vëllezërit dhe motrat por edhe bashkëjetuesin duhet t’a kesh konceptin shumë të qartë. Sesi do t’a provosh këtë bashkëjetues apo bashkëjetesë?! Dhe kjo do të shkojë tek Kodi i Familjes. Tani, Kodi i Familjes ka shumë pak rregullime. Ne kemi patur procese gjyqësore që kanë pretenduar bashkëpronësi për shkak të një pasurie të fituar gjatë bashkëjetesës, kanë pretenduar bashkëjetesën por ka qenë shumë i vështirë për t’u provuar. Raste të rralla kanë qenë që kanë lindur fëmijë gjatë bashkëjetësës psh. kanë marrë kredi etj dhe këto po, janë konsideruar të provuara nga gjykata. Por, rastet e tjera janë shumë të vështira. Prandaj ligjvënësi mund ti bëj këto, por do të dojë ndërhyrje vetëm në Kodin Civil. Për mua, në Kodin e Familjes, me patjetër dhe në disa nene të tjera të Kodit Civil.
Anila Hoxha: Për të qenë një kazus sa më i kompletuar?
Vojsava Kola: Për të qenë të lidhura sepse koncepti i bashkëjetësës do shkosh tek Kodi i Familjes,e ke aty.
Anila Hoxha: Megjithatë, qytetarët të cilët lënë një testament tek noteri në shumë raste vullneti i tyre goditet sërisht gjyqësisht nga ata të cilët janë përjashtuar nga ky testament. Nga praktika juaj gati 17 vjeçare në drejtësinë shqiptare cfarë do të veçonit, cilat janë arsyet, përse trashëgimtarët e përjashtuar e kundërshtojnë testamentin dhe vullnetin e personit të tyre të dashur, i cili i përjashtoi nga testamenti?
Vojsava Kola: Ka shumë raste në fakt. Duke marrë edhe në konsideratë edhe shoqërinë pak patriarkale që ne si vend kemi qenë shpesh herë në çështjet gjyqësore janë përjashtuar vajzat. Pra, ka kaluar pasuria tek djemtë e familjes duke u përjashtuar vajzat, të cilat sigurisht kanë goditur testamentet përkatëse, duke kërkuar të drejtat e tyre testatore. Ndërkohë, që ka raste të tjera që ne i kemi ende në diskutim dhe ka edhe mendime dhe qëndrime të ndryshme nga kolegët që “a mund të ngrihet trashëgimtari dhe të kundërshtojë një testament dhe vullnetin e tij të prindërit”, pra që i rrjedhin nga prindëri, duke mos ditur vullnetin. Pra, ta them me fjalë të thjeshta në rast se një person ka bërë një testament të caktuar duke disponuar pasurinë tek njëri fëmijë, 3 fëmijët e tjerë kanë qenë gjallë dhe nuk kanë patur asnjë kundështim ndaj këtij testamenti për një periudhë të caktuar vitesh për 10 apo 15 vjet. Mbas ndërrimit të jetës të njërit prej këtyre fëmijëve, pra që është përjashtuar nga testamenti ngrihen fëmijët e tjerë dhe godasin testamentin. Dhe diskutimi i madh që ne kemi edhe ndërmjet kolegëve është që “a ka të drejtë dhe interes të godasë këtë testament duke pretenduar të drejta që në fakt kanë qenë të lidhur me prindërit e tij”.
Anila Hoxha: Dhe ende nuk jeni shprehur për këtë gjë?
Vojsava Kola: Nuk jemi shprehur për këtë gjë ende. Ka qëndrime të ndryshme.
Anila Hoxha: Përjashtimi i vajzave nga testamenti, çfarë qëndrimesh ka mbajtur më së shumti gjykata?
Vojsava Kola: Atëherë, në përgjithësi nuk ka qenë vetëm testamenti ka qenë trashëgimia ligjore. Ne kemi patur një rast të fundit që ishin çelur dy dëshmi trashëgimie ligjore para vitit 2013 dhe kanë qenë çelur me vendime gjykate, jo tek noteri siç janë tashmë dhe ishin bërë dy vendime gjyqësore. Njëri kishte trashëgimtar vetëm djemtë, ndërkohë që tjetri kishte të gjithë trungun familjar sipas certifikatës familjare. Dhe palët kishin regjistruar pasurinë sigurisht në bazë të dëshmisë së parë të trashëgimisë duke përjashtuar vajzat. Ky është një rast për ne i thjeshtë sepse dëshmia e trashëgimisë në fakt nuk të bën pronar, nuk ta jep pronësinë. Është një akt deklarativ.
Anila Hoxha: Zonja gjyqtare, keni raste në gjykatë kur trashëgimtarët godasin testamentin për shkaqe se e kanë konsideruar këtë testament të pavlefshëm për mënyrën si është firmosur, si është marrë nga njëri prej trashëgimtarëve dhe kështu me radhë dhe keni konstatuar ju gjatë gjykimeve raste të tilla?
Vojsava Kola: Ka shumë raste kur goditet testamenti për shkak të formës. Testamenti sipas Kodit Civil mund të bëhet në dy mënyra është testamenti holograf ose me shkrim dore dhe testamenti me akt notarial. Sigurisht që me akt noterial është edhe më i qartë, është edhe më i dokumentuar etj por prapë edhe ky mbart problematika. Mund të ndodh që personi ka qenë invalid, mund të ndodh që personi nuk ka ditur shkrim, këndim, mund të ndodh që ka qenë i verbër etj. Këtu pastaj ndërthyret edhe ligji për noterinë i cili ka parashikime shumë specifike. Pra, në çdo rast noteri duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Ne kemi patur shumë raste që janë goditur për shkak të formës.
Anila Hoxha: Si mund të ndodhë, një trashëgimtar të marr testament nga njëri prej prindërve në momentin që ai është i pandërgjegjshëm?
Vojsava Kola: Këto janë çështje provueshmërie pastaj. Një rast që e kemi patur së fundmi, ishte lënë një testament dhe pala ngriti pretendimin që vuante nga ishemia celebrale. Pra gjatë kohës që kishte hartuar aktin noterial kishte qenë në spital, ndërkohë që doli që nuk ishte siç ai pretendonte. Pra, vërtet ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, por jo se ishte i paaftë apo i pazot për të vepruar, pra që kishte zotësi. Këto janë çështje provueshmërie.
Anila Hoxha: Përse i përjashtojnë prindërit shqiptarë fëmijët nga testamenti?
Vojsava Kola: Ky termi përjashtim nuk është se …, ata thjesht ia lënë dikujt, pra në një farë mënyre, në mënyrë të heshtur ata e përjashtojnë fëmijën tjetër. Nuk është se ka ndonjë shkak shumë të përligjur. Në përgjithësi nuk është se përdoret shumë testamenti. Pra, e lënë me trashëgimi ligjore, por arsyeja kryesore që ne dimë është prindërit disponojnë tek fëmijët me të cilët jetojnë deri në fund, përkujdesen për ta etj. Edhe Kodi Civil i pranon si shkaqe këto. Kur flet më vonë edhe për trashëgimtarët që janë të padenjë apo që mund t’i përjashtosh nga trashëgimia etj e pranon edhe këtë shkak. Pra, prindëri me fëmijët me të cilën jeton, përkujdeset për të deri në momentin e ndërrimit të jetës, mund të disponojë me një testament për t’ia lënë atij.
Anila Hoxha: Cili ka qenë procesi më i vështirë i juaji për testamentin dhe dëshminë e trashëgimisë?
Vojsava Kola: Ligji është shumë i qartë, pra ka vendosur disa kritere kjo është dëshmia testamentare, kjo është ligjorja dhe ne thjesht jemi të detyruar të zbatojmë ligjin.
Anila Hoxha: Është urgjente ndërhyja e parlamentit për detyrat që ka lënë Gjykata Kushtetuese në këtë pikë?
Vojsava Kola: Mendoj që po sepse do të ketë një impakt në të gjitha çështjet që ne kemi në shqyrtim dhe do t’a ketë me patjetër impaktin.
Anila Hoxha: Është volum i madh i çështjeve në këtë fushë?
Vojsava Kola: Janë çështje që lidhen si me trashëgiminë ligjore ashtu edhe me trashëgiminë testamentare. Pasi me zotësinë për t’a trashëguar me testament ashtu edhe me rezervën ligjore. Pra, janë të lidhura dhe të ndërthurura. Ka goxha çështje që presin për tu shqyrtuar.
Anila Hoxha: Si ka mundësi që nuk e besojnë noterin? Sepse këto janë akte që merren tek noteri.
Vojsava Kola: Nuk është problemi se nuk e besojnë noterin. Dmth. ne nuk e vendosim në diskutim vullnetin e testatorit, në asnjë moment. Noteri ka qenë aty. Testatori ka qenë aty. E ka shprehur lirisht vullnetin pra unë dua t’a disponoj pasurinë tek nipi, tek djali i motrës time, i cili ka jetuar me mua, është përkujdesur etj. Nuk i vëmë fare në diskutim këto. Problemi është tek kriteret që parashikon Kodi Civil, tek ai kufizimi që i ka bërë testatorit. I ka thënë “po do shkosh tek noteri, do t’a disponosh pasurinë, ke gjithë të drejtën, ama për disponimin janë 1,2,3. Në qoftëse se nuk i ke këta, mund të lësh te kush trashëgimtarë, apo tek kush i afërm që ti dëshiron”. Dhe këtu është problemi. Unë vetë personalisht mendoj që modeli italian është një model shumë i mirë.
Anila Hoxha: Çfarë ka modeli italian?
Vojsava Kola: Modeli italian nuk e kufizon, pra vendos, ka një proporcionalitet, çdo gjë është proporcionale në raport me atë që ti kërkon të garantosh. Modeli italian e mbron familjen, pra i thotë testatorit “ok, unë do të jap liri, t’a disponosh me testament pasurinë tek kush dëshiron ti, pra komshiu, nipi, mbesa, halla, daja, teze, etj por ti nuk do të prekësh me këtë testament pjesën që i takon trashëgimtarëve të tu ligjorë, të cilët i ka përcaktuar ligji”, pra këto radhët e ngushta të para, pra fëmijët, prindërit, motrat dhe vëllezërit. Kjo është një pjesë e paprekshme, për pjesën tjetër mund t’a disponosh aty ku ti dëshiron.
Anila Hoxha: Ndërsa me ligjin që kemi ne, testatori nuk e ka këtë të drejtë?
Vojsava Kola: Jo, absolutisht. Edhe Gjykata Kushtetuese kur ka argumentuar vendimin…
Anila Hoxha: Testatori e lë një testament që kjo pasuri të shkojë tek personi i caktuar, por në fund të ditës është ligji ai që ia kufizon.
Vojsava Kola: Po, ligji thotë që në tre radhët e para, pra tek të paralindurit, të paslindurit dhe vëllezërit dhe motrat zgjidh kë të duash.
Anila Hoxha: Faleminderit, zonja gjyqtare.